Kryetarja e Bashkise Shkoder Voltana Ademi thote se Rama nuk jep per Shkodren

Kryeministri Rama, i zënë ngushtë në Shkodër për shkak se qeveria ka çuar investimet më të ulëta në shkallë vendi, tha se mungesa e tyre ka të bëjë me faktin se Bashkia e Shkodrës nuk ka paraqitur projekte. “Të sjellë projekte si Bashkia e Malësisë së Madhe”, tha Rama para anëtarësisë së PS. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, nuk ka vonuar dhe ka bërë publik projektet për të cilat ka aplikuar Shkodra pranë qeverisë dhe që nuk janë financuar. Ademi ka postuar grafikun e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, sipas të cilit, bashkia e Shkodrës ka marrë gjatë periudhës 2014 – 2015 vetëm 1 5 të totalit, më pak se çdo bashki tjetër në vend. Nga Fondet e Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, deri në muajin mars 2016 ka marrë vetëm 3%. Kryebashkiakia ka publikuar projektin e ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza ne lagjen “Mar Lula”, me vlerë 190.000.000 lekë, që nuk është financuar. Është aplikuar edhe për ndërtimin e qendrës polifunksionale për rajonet e qytetit të Shkodrës pë rshërbime administrative, sociale dhe rekreative me vlerë 53.000.000 lekë. Është aplikuar edhe për rikualifikimin e Sistemimit të Bllokut të Pallateve Parafabrikate në “Xhabije”, me vlere 70.000.000 lekë. Ka patur një projekt edhe për rikonstruksionin e rrugës “Lugoçesme” me vlerë 45.000.000 lekë. Është aplikuar për rikualifikimin urban të zonës hyrëse të Shkodrës nga rrethrrotullimi i urës së Bahçallekut deri tek Harku i Bërdicës. Bashkia e Shkodrës ka aplikuar edhe për rikonstruksionin e plotë të teatrit “Migjeni”, të lulishtes dhe parkut të teatrit, parkut të Taraboshit dhe të lagjes së Shirokës. Të gjitha këto projekte, sipas kryebashkiakes Voltana Ademi janë dërguar pranë qeverisë, por asnjëri prej tyre nuk është financuar. Këto të dhëna e nxjerrin bllof kryeministrin, i cili, duke mos dhënë arsyen e vërtetë të diskriminimit të Shkodrës, ia la përgjegjësinë Bashkisë që sipas tij nuk dërgon projekte. Shkodra drejtohet sërish nga të djathtët dhe është mes bashkive të fituara nga PD, që Rama i ka përjashtuar edhe nga projekti i “Rilindjes” urbane të qendrave të qyteteve.Lapsi

SHKARKO APP