Ksamil/Lirohen 10 mijë m2 plazh të zaptuar, procedohet n/kryetari i Bashkisë
Përgjatë muajit gusht, kryefjalë e qeverisë ka qenë aksioni kundër informalitetit, qëllimi i së cilës është lirimi i hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme në plazhet shqiptare. Kësaj herë, aksioni është shtrirë në Ksamil ku janë liruar 10 mijë m2 plazh si dhe janë proceduar 6 pronarë biznesesh, 5 në Qarkun Vlorë dhe një në Divjakë, nga të cilët 5 për “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 për “Zënia e hapësirave publike”. Gjithashtu, është proceduar edhe n/kryetari i Bashkisë së Sarandës Jorgo Mitro, pasi nuk ekzekutuar vendimin administrativ të kryetarit të Bashkisë Sarandë për lirimin e një sipërfaqeje plazhi publik prej 600 m2 në Ksamil i cili shfrytëzohej pa lejen e bashkisë nga shtetasi F. P., hapësirë që është liruar gjatë operacionit të policisë tre ditë më parë.
Gjatë operacionit në Ksamil, Policia ka liruar dhe kthyer në shërbim të qytetarëve rreth 10000 m2 hapësirë publike. Është proceduar penalisht shtetasi K. I., 35 vjeç, banues në Ksamil, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin e tij, tek zona bregdetare e quajtur “Pema” në Ksamil, janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 1185 shezlongë, 351 çadra dhe një tendë dielli për mbulimin e shezlongëve rreth 40 m e gjatë, të cilat shfrytëzoheshin pa kasë fiskale dhe pa lejen përkatëse nga Bashkia e Sarandës.
Në Himarë Policia gjatë kontrollit në Jal, ka proceduar penalisht shtetasit G. S., 47 vjeç, banues në Fier (administrator subjekti) dhe Z. D., 34 vjeç, banues në Himarë (administrator subjekti), pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në subjektet “Plazh Privat” në Jal, nën administrimin e këtyre shtetasve, Policia konstatoi se në këto subjekte nuk lëshohej kupon tatimor, kishte mungesë dokumentacioni dhe ushtronin aktivitetin pa kontratë qiraje nga Bashkia Himarë.
Operacioni ka vijuar në Vlorë ku janë proceduar penalisht shtetasit L. M., 52 vjeçe, banuese në Vlorë (administratore subjekti) dhe E.N., 38 vjeçe, banuese në Vlorë (administratore subjekti), pasi në subjektet e tyre në lagjen “Ujë i Ftohtë” kishte mungesë dokumentacioni dhe pa kasë fiskale. Po gjatë operacionit që ka vijuar edhe në Divjakë, Policia ka proceduar penalisht shtetasen E.A, 38 vjeç, banuese në Divjakë, (administratore) për fshehje të të ardhurave dhe mospagim të taksave dhe tatimeve. Gjatë kontrollit të ushtruar në plazhin e Divjakës, u gjetën mangësi në dokumentacion, në subjektin sezonal që ajo ka në këtë plazh, duke mos deklaruar të ardhurat e duke mos paguar sigurimet. Policia thotë se operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin dhe për të ndëshkuar evazionin fiskal, në biznes, hidrokarbure, ndërtim etj.