Filloi gjyqi i parave të vjedhura në bankë

Tetë persona janë akuzuar për shpërdorim detyre nga prokuroria, lidhur me vjedhjen e një banke pranë stacionit të trenit në Tiranë. Shpërdorimi i detyrës është akuza e vetme, pasi mbi ta nuk rëndën ndonjë akuzë për bashkëpunim në vjedhjen e katër thasëve me pará, shkruan Shekulli.

Prokuroria ka shpjeguar me detaje gjithçka që ka ndodhur në tunelin e bankës, atje ku ka patur edhe ca vegla ndërtimi dhe ca llamarina, të cilat dyshohet se kanë shërbyer për fshehjen e tre personave që hynë dhe arritën që, nën kërcënimin e armës të çarmatosnin, shtatë rojet e sigurisë, të merrnin paratë dhe të largoheshin me mjetin e blinduar të bankës. Ky mjet shërbente për transportin e sasisë së valutës në drejtim të Rinasit, ku mësohet se më pas do të shkonin në një bankë në Austri, ku edhe do të depozitoheshin.

Lajmërimi për lëvizjen

“Më dt 13.02.2015 në orën 10.46 minuta, shtetasja B.F, nëpërmjet postës elektronike, ka bërë një njoftim shoqërisë private të sigurisë fizike “Euro Gjici”, kërkesë për eskortë ku në këtë kërkesë nëpërmjet një kodi të vendosur nga banka është kërkuar eskortë për transportim të vlerave monetare në drejtim të aeroportit të Rinasit, në orën 12.30 minuta. Shuma e kërkuar për eksportim nga Aeroporti i Rinasit ka qenë e përbërë nga 900.000 franga zviceriane; 800.000 paund britanik si dhe 16.100 euro, të futura në katër qese. Për tërheqjen dhe përfaqësimin e bankës për kryerjen e procedurave të dorëzimit nga banka dhe në aeroportin e Rinasit janë autorizuar i pandehuri Robert Felah dhe shtetasi G.G., me detyrën e shoqëruesit të vlerave monetare, ndërsa për sigurimin dhe transportimin e vlerave monetare nga banka për në aeroportin e Rinasit janë caktuar mjetet dhe eskorta e shoqërisë së sigurisë e përbërë nga shtetasi S.F., përgjegjës eskorte, të pandehurit Ilir Syla dhe Dritan Duka, personel shërbimi të eskortës, i pandehuri Artan Dervishi, drejtues i mjetit të blinduar dhe i pandehuri Tomorr Hidri, drejtues i mjetit shoqërues.

Tuneli i bankës

Robert Felah ka hapur qepenin e tunelit dhe ka lajmëruar informacionin e bankës për mbërritjen e grupit të eskortës. Pas përgatitjes së sasisë së parave nga arkëtarët, kjo sasi është shoqëruar nga personi përgjegjës deri në pjesën e tunelit, vend në të cilin bëhet dalja e vlerave monetare. Përpara tunelit ka një rrugë me pjerrësi, që të çon në hyrjen e tunelit. Tuneli ishte i pajisur në hyrje me qepen metalik të lëvizshëm. Tuneli, në gjithë gjatësinë e tij, ka pasur nga njëra anë të vendosura materiale të ndryshme ndërtimi; hekura, kuti të ndryshme, makineri të ndryshme industriale si dhe një pjesë në formë “L” ku kishte sërish materiale të hedhura. Në cepin perëndimor ndodhej një qepen metalik i mbyllur, mbi të cilin ishte vendosur kamera e sigurimit. Përballë me këtë qepen, në një ambient që ishte mbushur me materiale ndodhej një derë metalike, e cila te lidhte me ambientet e katit të parë të pallatit ku ndodhen ambientet e bankës. Kjo dere metalike rezultoi të ishte e hapur dhe pa dëmtime”.

Dorëzimi i thasëve

“Tre persona të armatosur me armë zjarri automatike, të maskuar, dalin njëri pas tjetrit nga vendi përballë me qepenin ku kanë dalë paratë dhe nisen me vrap pas Sajmir Nikoçit. Në momentin që i pandehuri Robert Felah kishte dalë në hyrje të tunelit ka dëgjuar pas tij dhe Sajmirit një zë mashkulli i cili i ka thënë: “Qen, lëshoji thasët në tokë!” dhe menjëherë ka parë një person të maskuar, me armë zjarri automatike në dorë të drejtuar për nga ky i pandehur. Robert Felah ka lëshuar thasët në tokë, ndërkohë që personi i armatosur ka qëlluar në dysheme. Dritan Duka pasi ka parë këtë skenë dhe një person të armatosur të lëvizte në drejtim të tij si dhe pasi ka thirrur në drejtim të grupit tjetër, ka ikur me vrap duke u futur tek hyrja e pallatit. Personi i tretë i armatosur i është drejtuar Tomor Hidrit i cili ka lëshuar thasët në tokë, të cilit i kanë kërkuar që të ndizte mjetin e tij. Tomori ka nxjerrë çelësat e mjetit që ia kanë marrë personat e armatosur dhe është larguar me vrap për në drejtim të një dyqani. Personat e maskuar së bashku me katër thasët kanë marrë mjetin eskortë dhe janë larguar”, shkruan Shekulli.

SHKARKO APP