Kufijtë politikë t’i afrojmë me kufijtë gjeografikë e kulturorë të Europës
Nga Lindita Nikolla
Rajoni Adriatiko-Jonian përbën një ndër zonat me potenciale ndër më të larta të zhvillimit, për shkak të pasurive natyrore, klimës, pozicionit gjeografik, historisë, trashëgimisë kulturore të qytetërimeve të shkuara si edhe burimeve dhe energjive njerëzore.
Në këtë rajon, si në asnjë zonë tjetër të globit, zhvillimi i gjelbër dhe industritë e rritja ekonomike blu janë në habitatin e tyre të natyrshëm dhe përbëjnë avantazhe të mëdha konkurruese me pjesën tjetër të kontinentit, madje edhe më gjerë.
Këtyre potencialeve të pakrahasueshme të zhvillimit u shtohet mozaiku kulturor, etnik dhe gjuhësor dhe bashkëjetesa e popujve, si me të kaluar të ngjashme, ashtu edhe me diferenca të theksuara gjatë zhvillimit historik.
Vendet e Nismës ndodhen në stade të ndryshme të zhvillimit ekonomik, shoqëror, politik, urban dhe teknologjik.
Katër nga vendet e Nismës, Kroacia Greqia, Italia, dhe Sllovenia, janë anëtare të Bashkimit Evropian.
Ndërsa Shqipëria, Bosnje-Herzegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë aspirante, në stacione të ndryshme drejt integrimit në BE.
Shpejtësitë e ndryshme integruese të pesë vendeve që e aspirojnë bashkimin me projektin evropian, si një ndër projektet më të bukura të njerëzimit, janë një tjetër zhvillim asimetrik mes vendeve tona.
Por këtë dallim mund dhe duhet ta përdorim si një mundësi për të mësuar si nga avantazhet, ashtu edhe nga gabimet e njeri-tjetrit.
Nuk them ndonjë të re nëse përmend faktin që Ballkani Perëndimor e ka vendin në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, duhet thënë se procesi i integrimit evropian perceptohet në mënyra të ndryshme.
27 vendet anëtare dhe organet e Bashkimit flasin për “procesin e zgjerimit”.
Ndërkohë, vendet tona flasim për “procesin e integrimit evropian”.
Termat përshkruajnë të njëjtin proces, të parë nga sponde të ndryshme.
Por druaj se këto perceptime të ndryshme, i kanë shtyrë disa vende anëtare drejt vlerësimit të Ballkanit Perendimor si një problem i shtuar i Bashkimit Evropian.
Ballkani Perëndimor është një rajon me rrënjë, identitet, vlera dhe aspirata evropiane.
Teknikalitetet e procesit të zgjerimit, nuk duhet të harrojmë se strategjikisht vendet tona e kanë vendin në familjen evropiane.
Po hyjmë në dekadën e katërt të valës së demokratizimit në kontinent dhe kufijtë gjeografikë e kulturorë të Europës, janë ende larg kufijve politikë të saj, Bashkimit Evropian.
Evropa do të bëhet një projekt më i bukur kur kufijtë politikë do të afrohen me kufijtë gjeografikë e kulturorë të saj.
Rritja ekonomike e gjelbër dhe blu janë korsi të rëndësishme të zhvillimit të qëndrueshëm dhe që ushqejnë qëndrimin miqësor të zhvillimit ndaj pasurive natyrore, mjedisit si edhe pasurive shpirtërore të vendeve dhe të popujvë tanë.
Në rajonin tonë ndodhen disa prej thesareve më të pasur atë kulturës dhe qytetërimeve botërore.
Detyra jonë është t’i ruajmë e t’i mbrojmë ato prej forcave të verbëra të tregut, pavarësisht se ato shfaqen në trajtën e lakmisë për të maksimizuar burimet financiare të zhvillimit apo shëndoshur sistemet e mirëqenies.
Nisma Adraitiko-Joniane duhet të jetë një nismë e hapur që ka edhe ajo procesin e saj të zgjerimit. Në këtë kontekst, mendoj se ka ardhur koha të shqyrtojmë e vendosim për pranimin e Kosovës në këtë Nismë.
* Nga fjala në Konferencën e XVIII të Presidentëve të Parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane