Kufizimi i rrjeteve sociale, Manastirliu: 394 takime dhe 14 mijë prindër pjesëmarrës në turin e konsultimeve
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha sot se deri tani janë zhvilluar 394 takime me pjesëmarrjen e 14 mijë prindërve, në shkolla të ndryshme në vend, në kuadër të diskutimeve me fokus kufizimin e rrjeteve sociale, kryesisht TikTok.
Manastirliu deklaroi se ky proces diskutimi vazhdon me prindërit në shkollat e Tiranës, Shkodrës, Lezhës, Mamurrasit, Malësisë së Madhe, Hasit, Vaut të Dejës, Kurbinit, Beratit, Dimalit, Poliçanit, Belshit, Cërrikut, Librazhdit, Peqinit, Përrenjasit, Gramshit, Tepelenës, Përmetit dhe Vlorës.
Ministrja theksoi se gjatë diskutimeve, prindërit po kontribuojnë me ide dhe sugjerime për të adresuar sfidat që sjell teknologjia. Manastirliu, edhe më herët ka ndaluar te rëndësia e bashkëpunimit midis institucioneve, shkollave dhe prindërve për të garantuar një hapësirë digjitale të sigurt për të rinjtë dhe për të ndërtuar një kulturë të fortë të ndërgjegjësimit dhe sigurisë duke u ndalur te turi i konsultimeve që MAS ka nisur me komunitetet e prindërve në të gjithë Shqipërinë.