Kufoma e Lleshit tre muaj në morg, Hoxha: Ja pse refuzojnë familjarët ta marrin për ta varrosur

Arben Lleshi u vra tre muaj më parë nga Sokol Mjacaj në burgun e Peqinit. Por edhe pse kanë kaluar kaq kohë, kufoma e tij nuk është marrë nga familjarët, që refuzojnë ta marrin duke pretenduar se nuk është trupi i tij. Gazetari investigativ, Artan Hoxha, tha në emisionin “Të Paekspozuarit”, se familjarët kanë frikë nga vijimi i gjakmarrjes që pasoi krimin e kryer nga Lleshi në vitin 2012, që është pasuar me 5 të vrarë nga fisi Lleshi, deri tani.

”Familja e di shumë mirë kush është, por për shkak të pasojave që ka patur nga një ngjarje e ndodhur në 10 prill 2012, kur Arben Lleshi mori shokun e vet, Agim Hoxha, që i kishte paguar udhëtimin për në Angli dhe e mbante me bukë, i grabit një sasi droge, shkon në market, blen veglat e punës dhe e djeg kufomën pasi e vret. U arrestua dhe u dënua për këtë gjë. Nga ky moment, u vra xhaxhai i tij, në 2013 dhe 3 vite më vonë, xhaxhai tjetër.

Në 2017, djali i xhaxhait që e morën në Kamëz dhe nuk është gjetur më. Në 5 gusht 2020, kur ishte COVID, Klevis Lleshi që ishte edhe në kërkim nga policia, rrëmbehet në mes të Burrelit, dhe zhduket. Dhe i pesti është Arben Lleshi. Derisa vajtën te ky në burg, ata vranë xhaxhallarët dhe djemtë e tyre. Mesa duket, krimi që ky pati bërë ndaj mikut të tij në Londër u cilësua i tillë. Unë kam folur me familjarët e djemve të zhdukur.

Paniku i tyre ishte sa ky ishte gjallë se thoshin ne po paguajmë për të dhe të tjerët nuk kishin lidhje. Në burg nuk e kishte takuar njeri, e braktisën. Dhe kjo sagë, po kulmon me këtë gjë, që nuk i marrin as kufomën për ta varrosur. Kanë frikë se dikush do të shkojë ta marrë, që të ketë një varr, mesa duket i ruhen kësaj pasoje”,-tha Hoxha.

SHKARKO APP