“Kujdes nga mashtruesit”, Ambasada amerikane paralajmëron shqiptarët për vizat
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA në Tiranë këshillon qytetarët shqiptarë të tregohen të kujdeshëm sa i përket faqeve fake në internet apo adresave të e-mailit që i ftojnë të aplikojnë për vizë amerikane duke kërkuar edhe një pagesë të caktuar.
Sipas ambasadës, Departamenti i Shtetit nuk do t’ju kërkojë kurrë të transferoni para tek një individ apo organizatë tjetër për të marrë vizën tuaj.
“Ne kontaktohemi vazhdimisht nga individë që kanë rënë viktima të mashtrimit të vizave. Mashtrimet zakonisht përfshijnë faqe interneti të rreme, adresa emaili dhe kërkesa për tarifa shtesë që duhet paguar për të marrë një vizë. Mos harroni, Departamenti i Shtetit nuk do t’ju kërkojë kurrë të transferoni para tek një individ apo organizatë tjetër për të marrë vizën tuaj. Informoni veten në mënyrë që të mos bëheni viktimë e një mashtrimi!”, shkruan ambasada në njoftimin e saj.