Kultivuan kanabis në tetë miniparcela në Lekaj të Kavajës, dy të arrestuar. Sekuestrohen 20 mijë euro

Dy persona kanë rënë në prangat e uniformave blu pasi kishin kultivuar bimë kanabisi në 8 miniparcela (gjithsej 1200 bimë) në kodrat e fshatit Lekaj (pranë depos së ujit të këtij fshati).
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, pas një hetimi njëmujor, me metoda proaktive, në kuadër të operacionit policor të koduar “Lekaj”, u kapën në flagrancë 2 shtetas, të cilët kishin kultivuar 1200 bimë narkotike në 8 miniparcela në kodrat e fshatit Lekaj (pranë depos së ujit të këtij fshati).
Konkretisht, u vunë në pranga shtetasit D. M., 59 vjeç, banues në fshatin Lekaj dhe A. H., 36 vjeç, banues në fshatin Donofrosë, Berat. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K. dhe E. K., për të cilët, për shkak të hetimit, nuk jepen të dhëna të tjera.
Në kuadër të këtij operacionit u kryen kontrolle në disa banesa dhe ambiente, prej të cilave u sekuestruan 20000 euro, 1000 fara Cannabisi, 1 armë sportive, municion dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Gjithashtu, u sekuestrua me cilësinë e provës materiale një pjesë e bimëve narkotike, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies.
Po punohet me intensitet të lartë, për të kapur shtetasit e shpallur në kërkim, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.