Kumbaro prezanton projektin e ri ekoturistik në Korçë, i cili sjell rijetësim të objekteve të së shkuarës
Një tjetër godinë në Korçë do të rijetësohet, për t’u vënë në shërbim të Administratës së Zonave të Mbrojtura të qarkut të Korçës dhe si qendër multifunksionale në shërbim të komunitetit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ishte e pranishme në aktivitetin e prezantimit të projektit të restaurimit arkitektonik dhe të rigjenerimit urban të hapësirave të reja të punës për Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Korçë.
“Qarku i Korçës ka bukuri natyrore dhe kulturore. Me bashkinë e Korçës zbuluam se ka disa godina, që janë aty prej vitesh si hapësira të mbetura bosh, të pashfrytëzuara. Mënyra më e mirë për të rentabilizuar ishte nëpërmjet një projekti të tillë që quhet “Creativity”, pra krijimtari, për të ri-jetësuar destinacione të vjetra që kanë pasur një tjetër përdorim, duke u dhënë përmes krijimtarisë arkitekturore një jetë të re. Vendosëm për t’i dhënë jetë ndërtesës që në Korçë njihet si ish-Hipoteka, jo thjesht si rezidencë për zyra për Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura, por shumë më tepër se kaq, për të krijuar një hapësirë të re urbane brenda qytetit dhe qarkut të Korçës, si një destinacion me rol edukimi për fëmijët dhe të rinjtë, me rol turistik për t’u shpjeguar turistëve se çfarë ofron qarku, por edhe si hapësirë për të zhvilluar evente”, – u shpreh gjatë fjalës së saj Kumbaro.
Ky është një projekt i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në kuadër të programit europian Interreg IPA: “Industritë Kulturore dhe Kreative”.
Në vijim, ministrja Kumbaro përmendi edhe rikualifikimin e parkut natyror Drilon-Tushemisht, duke krijuar një hartë të plotë të atraksioneve ekoturistike në qarkun e Korçës.
“Kjo nuk është e para punë e tillë në qarkun e Korçës, pasi pak muaj më parë ishim në Pogradec ku treguam një punë të mirë në zonat e mbrojtura në Parkun Tushemisht-Drilon, ku kryem jo vetëm një rikualifikim të parkut natyror, por edhe atje po merr formë një qendër e re vizitorësh si mjedis që i dedikohet kryesisht zonës së Pogradecit dhe liqenit të Pogradecit si pjesë e UNESCO-s. Kështu do të kemi shumë më tepër arsye për të ardhur në Korçë dhe për të sjellë brezin e ri në gjithë qarkun e Korçës”, tha Kumbaro.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo u shpreh se kjo qendër do t’i shërbejë gjithë qytetit.
“Është një qendër që do të ketë shumë elementë që tek ndërgjegjësimi dhe edukimi për fëmijët, deri tek muzeu ku vizitorët mund të njihen me potencialin e zonave të mbrojtura. Besoj do të jetë atraksion më tepër që do t’i shtohet qytetit të Korçës. Falë këtij projekti, kur ai të përfundojë, do të kemi mundësi të bëjmë një tjetër projekt për të rivitalizuar ish-Shtëpinë e Pionerëve”, tha Filo.
Gjatë periudhës janar-tetor 2024 zonat e mbrojtura në gjithë Shqipërinë u vizituan nga 4,9 milionë vizitorë, ose 20% më shumë se një vit më parë, duke treguar interesin e turistëve për atraksionet natyrore dhe shtrirjen e ofertës turistike gjatë gjithë vitit.