Kur Adem Jashari bëri vizitë ngushëlluese në shtëpinë e Gjergj Lucës për vdekjen e babait, 32 viteve më parë

Një video e dërguar nga gazetari Blendi Fevziu ka zgjuar emocion të forta për Gjergj Lucën, duke kthyer në kujtesë një moment të rëndësishëm familjar që mbetet mbetet historik. Bëhet fjalë për vizitën e heroit kombëtar Adem Jashari, i cili, 32 vite më parë, së bashku me një grup shqiptarësh nga Kosova, erdhi për të shprehur ngushëllime në familjen Luca, pas ndarjes nga jeta të aktorit të madh Ndrek Luca.

Gjergj Luca, i biri i aktorit legjendar, e ndan këtë kujtim me një emocion të thellë, duke e cilësuar atë si një çast të paharrueshëm, një dëshmi të gjallë të lidhjes shpirtërore dhe historike mes shqiptarëve të të dy anëve të kufirit. Në mesazhin e tij, ai shprehet:

“Miq të dashur, sot po përjetoj emocione të papërsëritshme. Dua të ndaj me ju një video sa historike, aq edhe rrënqethëse. Një video e 32 viteve më parë, kur në shtëpinë tonë bujti heroi kombëtar, Adem Jashari. Hirësia e tij, me madhështinë dhe përulësinë e një luftëtari të vërtetë, erdhi për të na ngushëlluar për vdekjen e babait tonë, Ndrek Luca. Heroi i kombit u përul para artistit, duke dëshmuar se arti dhe liria janë binjakë të pandashëm.”

Kjo vizitë mbetet një moment i paharruar, jo vetëm për familjen Luca, por për mbarë kombin shqiptar. Ajo shënon një pikëtakim mes sakrificës dhe artit, mes luftës për liri dhe pasurisë shpirtërore që përcjell kultura. Ndrek Luca, një nga aktorët më të shquar të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, dhe Adem Jashari, figura që mishëron sakrificën sublime për lirinë e Kosovës, janë dy emra që vazhdojnë të frymëzojnë brezat.

“Faleminderit, baca Ademi! Faleminderit UÇK! Faleminderit Kosovë!” – përfundon mesazhin e tij Gjergj Luca, duke i dhënë këtij kujtimi përmasën e një amaneti historik, që lidh artin me atdhedashurinë dhe sakrificën me pavdekësinë.

Albert Vataj

SHKARKO APP