Kur ecin si të çmendur dhe të droguar në Tiranë (VIDEO)

Lajmet më të shpeshta këtë javë kanë qenë aksidentet rrugore. Në Rrugën e Kombit përplasja fatale, shoi një familje nga Kosova. Në Korçë dhe në jug të vendit, aksidentet me të plagosur nuk kanë munguar asnjë ditë. Reshjet e borës dhe stina e dimrit, në rrugë të ndryshme të Shqipërisë, shoqërohen gjithmonë me ngjarje të tilla, por ajo që çudit është rritja e frikshme e numrit të aksidenteve në Tiranë.

Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, dy aksidente në qendër të Tiranës të kapura nga kamerat, tregojnë se timoni për një pjesë të qytetarëve është njëlloj si armë që merr jetë.  Aksidenti më flagrant është ai që ndodhi përballë Ambasadës Italiane, në rrugën Gjon Pali II. Është një nga zonat me më shumë trafik dhe me një sinjalistikë të rregullt rrugore. Ka gjithmonë policë qarkullimi dhe makina të policisë rrugore që shoqërojnë delegacione. Megjithëse është zonë e monitoruar, pamjet në videon më poshtë tregojnë momentin kur një makinë ecën me shpejtësi marramendëse. Jo vetëm drejtuesi i mjetit tejkalon limitin e shpejtësisë në qendra urbane, por shkel semaforin me të kuqe. Shpejtësia vrasëse godet makinën përballë, ndërkohë që mund të kishte shkelur edhe mbi kalimtarët që po ecnin në vijat e bardha.

E njëjta gjë dhe në videon e dytë, në të cilën shihet se drejtuesi i mjetit bën një manovër duke ecur pas, në mes të vijave të bardha me shpejtësi. Në të dy rastet ka të plagosur dhe i gjithë faji është i drejtuesve të mjeteve. Aksidenti në rrugën “Gjon Pali II” është më flagranti dhe më i rëndi. Të ecësh me shpejtësi të tillë në mes të Tiranës, kur rrugët janë plot me njerëz, nuk është kundravajte ligjore, por gati akt terrorist. Për këtë kategori drejtuesish të  mjeteve, makinat janë si një minë me sahat që mund të shpërthejë në çdo rrugë dhe rrugicë të Tiranës.

Shoferë të tillë që nuk respektojnë dhe ka mundësi që as të mos i njohin rregullat e qarkullimit duhet t’u hiqet nga duart timoni. Janë si kamikazë që një ditë mund të vrasin me makinë. Heqja e patentës nuk mjafton, por duhet që edhe të arrestohen dhe ndëshkohen ligjërisht. Vetëm në këtë mënyrë kriminelët me timon në dorë mund të largohen nga rrugët e qyteteve.

VIDEO/Aksidentet e dy ditëve të fundit në Tiranë

SHKARKO APP