Kur je pikësëpari NJERI dhe më pas gjyqtar!
Nga Daniel Muçaku-
Si sot një javë me parë ishte aktiviteti përmbyllës treditor i një festivali arti e kulture në fshatin Vajzë të Vlorës, një fshat me traditë patriotike, që ka dhënë ndër të tjera edhe 21 dëshmorë në luftën Nacional-Çlirimtare, një rast i papërsëritshëm në Shqipëri.
Nga ky fshat ka dalë edhe poeti, diplomati dhe patrioti kombëtar Ali Asllani, i cili ka qenë dhe i pari kryetar bashkie në Vlorë e që punoi përkrah kryeministrit të parë, Ismail Qemalit.
Nga ky fshat është dhe Heroi i Popullit, Perlat Rexhepi. Po nga ky fshat janë një numër emrash publikë në fushën e artit dhe të jurisprudencës shqiptare.
E në këtë fshat, një nip që e lidh dashuria për vendlindjen e babait, është dhe një jurist i njohur, që tashmë është gjyqtar në gjykatën e Lartë. Madje edhe kryetar i kësaj gjykate, ai është Sokol Sadushi.
Ai, pra Koli, ishte pothuaj inisiatori i “Vajzë Fest” dhe promovuesi kryesor gjatë muajit gusht. Pushimet nuk i bëri jashtë vendit apo në resorte turistike, por në fshat, në Vajzë, siç quhet fshati.
Bashkë me bashkëshorten, Eden, të dy sa nuk vraponin për të pritur të ftuarit artistë nga Tirana apo qyteti i Vlorës.
Dashuria për Vajzën, aty ku e lidhnin shumë fije fëmijërie, aty ku ishte mbrujtur me aventurën e të ngjiturit në male apo për të vrapuar nëpër lumin Shushicë, apo për tu varur te Ura e Bratit për të parë ujin e kristaltë të lumit që mbarte histori të rralla betejash kundër turqve dhe gjermanëve; e bënin Sokolin larg pamjes së Tiranës me kostum zyrtar, ecte turravrap me bluzën dhe kapelen e ‘Vajzë Fest’, hokatar, i përkushtuar ndaj problemeve të fshatit, i thjeshtë, sikur nuk ishte kryetari i gjykatës së lartë të Shqipërisë.
Ai priti artistët dhe penat e njohura si Mevlan Shanaj, Natasha Lako, Kujtim Çashku, Marjeta Larja, Yllka Mujo, Kastriot Çaushi, Bujar Kapexhiu, etj. Ishte kudo për të krijuar atmosferë gazmore dhe krijuese në fshat; i shoqeroi te Parku Arkeologjik i Amantias, u kacavar me të tjerët te ura e Bratit, interesohej nëse banorët e fshatit të tij janë të kënaqur me aktivitetin, që për tre ditë e ktheu realisht Vajzën në kryeqendrën e vendit për kulturën.
Filmi, dokumentari, kenga, vallja, ekspozita, aventura e lumit, ngjitja te porta kryesore e keshtjellës së qytetit antik Amantia, bisedat, arbereshët që kishin ardhur; gjithçka me regji te Armando Borës dhe me prezantimin e magjishëm të gjyqtares së Gjirokastrës, Nertila Prallaj i bënë tre netë në “amfiteatrin”-natyrë, të papërsëritshme.
Erdhën për ta respektuar, porse mbeten të mahnitur nga bukuria e fshatit dhe skenari brilant i “Vajzë Fest”, edhe kolegë të tijë si Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Olsian Çela, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, Ilir Toska nga po kjo gjykatë; pesë gjyqtarë-kolegë të tij, Sokol Binaj, Ilir Panda, Sokol Ngresi, Valboni Çekrezi dhe Sandër Simoni, ishte dhe drejtori i shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, e shumë të tjerë.
Pra kolegë në punë dhe miq në fshat!
Erdhën edhe ish-presidenti Moisiu dhe presidenti Begaj për aktivitetin.
Kam parë shumë personalitete shtetrore, në këto vite, por Sokoli mu duk rast krejt i veçantë. Për thjeshtësinë e tij, përkushtimin ndaj vendlindjes së babait, njerëzve, pasionant ndaj natyrës, i dhënë pas kërkimeve arkelogjike si Amantia që ka qenë kryeqendra e Ilirisë së Jugut para 2500 vitesh; i lidhur me artin e kulturën; shkurt NJERI.