Kur natyra shfaqet më “humane” se njeriu

Reflektim rreth romanit “Atje ku këndojnë karavidhet” të Delia Owens, sjellë në shqip nga Botimet Dritan dhe përkthyer nga Manushaqe Bako

Nga Albert Gjoka
Çfarë do të bënit me jetën tuaj nëse në moshën 9-vjeçare do të braktiseshit nga prindërit, vëllezërit, motrat dhe të jetonit të vetmuar në mes të një moçali? A do të mbijetonit vallë? A do të ishit të aftë për të gjetur veshje apo ushqim? A do ta imagjinonit veten që të mos bënit asnjë ditë shkollë dhe të mbijetonit? Dhe më tej, si do të përballeshit me paragjykimet dhe refuzimet e të tjerëve?
Këto dhe shumë sfida të tjera mbijetese i sjell si sprovë romani “Atje ku këndojnë karavidhet” i autores amerikane Delia Owens, i botuar në gusht të vitit 2018 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vetëm pas një viti është sjellë edhe në shqip nga Botimet Dritan, nën përkthimin e sqimtë të Manushaqe Bakos.
Deri më tani ky roman është shitur mbi 6 milionë kopje në mbarë botën, duke kryesuar për shumë javë me radhë listat e shitjeve të librarive më të mëdha të botës. Njëherësh, platforma më e madhe online e lexuesve “Goodreads” e ka vlerësuar si një ndër librat që ka marrë më shumë yje dhe pëlqime. Po ashtu, “Atje ku këndojnë karavidhet” është vlerësuar si një nga 100 librat më të mirë më botë, i botuar gjatë vitit 2019.
Autorja, me profesion biologe, jo vetëm ka realizuar një ëndërr të dikurshme të fëmijërisë, por ka goditur në shenjë si rrëfimtare, duke sjell një roman disi të pazakontë për zhanrin e tij. Sigurisht, për shkak të profesionit, libri është tejet natyralist, sepse sjell jetën e një individi të vetmuar në mes të natyrës, – por ai është gërshetuar edhe me një linjë të romanit investigativ. Vdekja në rrethana misterioze e një personazhi pasohet me një linjë investigimi policesk dhe gjyqësor në pjesën e dytë të librit, e cila ia nxit më tepër kureshtjen e lexuesit.
Por, ky roman mbetet në thelb një ndër eksplorimet më të arrira të raportit të njeriut me natyrën, larg qytetërimit që ka ndërtuar dora e njeriut; “Ajo dinte më shumë mbi baticat, patat e borës, shqiponjat, dhe yjet nga ç’mund të mësonin tërë jetën shumica e njerëzve, megjithatë nuk numëronte deri në tridhjetë”(f.117): I realizuar mjeshtrisht nga një shkrimtare-biologe, me përshkrime në botën e gjallë, – me jetën e moçalit si një kordon që lidh tokën dhe detin, ky roman të befason me realitetin që sendërton: Bota e madhe e zogjve, peshqëve, insekteve, karavidheve, guackave, midhjeve, bimëve, etj., vjen me gjithë dimanizmin dhe thellësinë e tyre, enciklopedinë e madhe të natyrës, jo thjeshtë si një vëzhgim sipërfaqësor, – duke befasuar këdo që ecën nëpër rreshta. “Kaja mësoi nga gabimet e të tjerëve, dhe ndoshta më shumë nga peshqit e vegjël, sesi të jetonte me të atin. Thjeshtë të mos i ngatërrohej nëpër këmbë….(f.22)”
Libri rikthen një raport të përjetshëm të njeriut me natyrën, – që në zanafillë, – duke na kujtuar se jeta jonë ëshë e modeluar në çdo aktivitet të saj sipas rregullave mbi të cilat funksionon natyra në raportin mes specieve: “Ne ende i ruajmë këto instikte në gjenet tona dhe këto shfaqen në rrethana të caktuara. Disa pjesë tonat do të vazhdojnë të jenë gjithmonë çfarë ishim, çfarë na u desh të ishim për të mbijetuar – kohë e kohë më parë”(f.256). Lufta për mbijetesën është ajo që na bashkon, – por edhe aftësia për tu përshtatur, mënyra sesi shfaqim dashurinë apo kryejmë marrëdhëniet seksuale, mënyra e të ushqyerit, etj. Ja një paralelizëm befasues në mënyrën sesi disa gjallesa i ndërtojnë raportet seksuale mes mashkullit dhe femrës, – që shfaqet instiktivisht edhe tek qeniet njerëzore: “Një mantidë mashkull, me kokën lart dhe krenar si kalush, i parakaloi për ta joshur. Femra u shfaq e interesuar, duke rrahur antenat si skeptra. Kaja nuk mund ta kuptonte nëse përqafimi i tij kishte qenë i fortë apo i butë, po ndërkohë që mashkulli e prekte me organin kopulues për t’i fekonduar vezët, femra ktheu qafën e gjatë, elegante dhe ia këputi kokën me një të kafshuar. Ai ishte aq i zënë me çiftimin, sa nuk e vuri re fare. Cungu i qafës së tij tundej teksa mashkulli vazhdonte punën, ndërsa ajo i brejti gjoksin, pastaj krahët. Më në fund, emra mbajti gjysmë të futur në gojë këmbën e fundit, të përparme të mashkullit, ndërsa pjesa e poshtme e trupit të tij, pa kokë, pa zemër, vazhdonte ta kopulonte me një ritëm të përkryer. Femrat xixëllonja tërhiqnin me sinjale të pandershme meshkujt e huaj dhe i hanin. Mantidat femra gëlltisnin meshkujt e tyre. Femrat e insekteve, – mendoi Kaja, – dinin si të silleshin me dashnorët”(f.292-293).
Të gjitha këto tema universale trajtohen në mënyrë goditëse në këtë roman, duke na dhënë një leksion të madh jete sesi, edhe sjellja jonë është pjesë rudimentare e shfaqjeve të vetë natyrës, paçka se ajo është “deformuar” nga qytetërimet gjatë gjithë rrugëtimit të historisë njerëzore.
Ky roman është një tentativë për ta zhbërë aspektin social të qenies njerëzore; Pra, për ta zhveshur nga ky dimension dhe për ta kthyer njeriun në thelbin e tij, – pra tek jeta e vetmuar në mes të natyrës. Madje, ky roman e kundërvë njeriun me njeriun në mënyrë të pazakontë. “Dhe në të gjitha botët e biologjisë, ajo kërkonte një shpjegim sesi një nënë mund të braktiste krijesën e saj” (144). Kjo modulohet përmes braktisjes që nëna dhe babai iu bëjnë fëmijës, vëllai dhe motra dhe i bëjnë Kajës, refuzimit që komuniteti i qytezës i bën Kajës apo në zvetnimin e raporteve mashkull – femër, teksa personazhi ynë, Kaja, nuk beson më tek asnjë djalë për të krijuar marrëdhënie pasioni. Këtu prodhohet edhe konflikti që pasohet me një vdekje në rrethana misterioze të të dashurit të Kajës, Çejst Endrjus, e moduluar tamam si përngjasim i raporteve të manditës mashkull – femër. Këtu zë fill edhe linja investigative për të zbuluar vdekjen e Endrjusit, ku e dyshuara kryesore, madje e vënë nën akuzë është vajza e moçalit.
Përmes sjelljes refuzuese që Kaja i bën organit të akuzës, e cila tentoi ta çojë drejt ekzekutimit me vdekje për vdekjen e të dashurit të saj, shpaloset edhe një revoltë ndaj mënyrës sesi ne si qenie njerëzore vendosim drejtësinë në shoqëri. “Gjuha e gjykatës ishte, sigurisht jo aq poetike sa gjuha e moçalit”(f338).

Gjithsesi, ky libër përpiqet ta ruajë dimensionin social përmes rikthimit të marrëdhënieve mes Tejtit dhe Kajës, të cilët vendosin të martohen pas disa vitesh jete të ndarë nga njëri-tjetrit: Dhe, ajo që i bashkon ata, – më tepër sesa pasionet njerëzore, – është pasioni i përbashkët që ata kanë për natyrën dhe botën e gjallë të moçalit. Sepse çifti Kaja – Tejti nuk ndërtojnë një marrëdhënie që i shtyn ata drejt nevojës biologjike të riprodhimit”, sepse ata nuk lënë pasardhës por sendërtojnë dhe përmbyllin një projekt në mbrojtje të natyrës.
Ky libër risjell momente reflektimi për këdo, sidomos kur flitet për fuqinë ripërtëritëse dhe përmasën “humane” që shpalos natyra me ligjësitë e veta, teksa bashkësia njerëzore ende vuan nga padrejtësia, rracizmi, ksenofobia, paragjykimi, lokalizmi, urrejtja, hakmarrja, babëzia, fyerja, intriga, e shumë e shumë vese të tjera njerëzore të cilat shfaqen dhunshëm në përditshmërinë tonë përtej vlerave humane që jemi përpjekur të ndërtojmë ndër shekuj.
Prandaj, ky libër nxit një tjetër lexim dhe botëkuptim që duhet të kemi për natyrën dhe kërkon ndërtimin e një tjetër raport me të: “Shumicën e gjërave që dinte, e kishte mësuar nga natyra. Natyra e kishte ushqyer, mësuar dhe mbrojtur atëherë kur nuk e kishte bërë askush tjetër. Dhe, në qoftë se sjellja e saj e ndryshme kishte sjellë pasoja, atëherë edhe këto pasoja ishin funksione të thelbit të jetës” (f.382).
Librin Atje ku këndojnë karavidhet e gjeni tek Bukinist.al

Kur natyra shfaqet më “humane” se njeriu

SHKARKO APP