“Kur ta shohim si atdhe të përbashkët ku mund dhe duhet të jetohet…”, Zef Preçi optimist se Shqipëria do të bëhet
“Të mençurit nxënë nga gabimet e të tjerëve.” Duke ju referuar kësaj fjale të vjetër greke, eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, shpreson që duke pasur përpara një vit elektoral qytetarët shqiptarë do të ndërgjegjësohen për të kërkuar më shumë llogari nga ata që u besojnë të qeverisin fatet e tyre dhe të vendit.
Shqipëria mund të bëhet, thotë Preçi për Ora News, atëherë kur ata që pretendojnë të qeverisin të mos e shohin pushtetin si mjet pasurimi të oligarkëve apo mjet punësimi të 120 mijë vetëve në Shqipërinë me 4 milion banorë.
Preçi: Një fjalë e vjetër greke thotë “të mençurit nxënë nga gabimet e të tjerëve”. Ndoshta qytetarët shqiptarë do të ndërgjergjësohen për të kërkuar më shumë llogari ndaj atyre që qeverisin fatet e vendit, qoftë këtyre që janë sot, qoftë atyre që pretendojnë nesër dhe njëkohësisht për ta parë pushtetin jo si mjet pasurimi të oligarkëve dhe as si mjet punësimi të 120 mijë vetëve, Shqipëria ka të regjistruar 4 milion banorë. Ta shohim si atdhe të përbashkët ku të mund të jetohet dhe ku duhet të jetohet, të mos shihet qeverisja si pushtim.
Dy prioritetet e qeverisë në këtë moment sipas tij duhet të jenë menaxhimi i krizës së pandemisë dhe rimëkëmbja e ekonomisë.
Me kritika ai sheh përdorimin elektoral që qeveria Rama po i bën procesit të rindërtimit.
Preçi: Në ditët e sotme merr përparësi menaxhimi i krizës së pandemisë dhe shpëtimi i ekonomisë përpara se të rëndohet më tej. Kjo mbivendosja me tërmetin dhe përdorimit elektoral i procesit të rindërtimit duhet të marrë fund. Ka shumë rëndësi që paratë që merren borxh, paratë që burojnë nga taksat të shkojnë për të mbështetur biznesin, për të përmirësuar klimën e biznesit. Pa përmirësuar klimën e biznesit, vështirë se efektet e kësaj krize mund të kapërcehen kollaj.