”Kurbani” Lear Kurti
Nga: Redjon Shtylla
Overdoza, këtë shkaktar të vdekjes së 32-vjeçarit në duart e Policisë së Shtetit, ka gjetur ekspertët për autopsinë. Lear Kurti, kishte arritur pak para se të kapej nga efektivët, të gëlltiste dy qese të vogla me një sasi kokaine brenda saj. Qeset janë të përmasave 5×5, të ngjashme me ato qeset që përdoren në farmaci për medikamentet. Këto qese ishin të paktën 3 ose 4 doza kokaine.
Por si mjek, Sali Berisha pyet sesi kalon qesja nëpër ezofag. Për të kemi të bëjmë me një skenar që e vranë për së dyti. ”Që një autopsi të japë rezultatin e pritshëm, duhet lënë të paktën 12 orë dhe bëhet nga grup ekspertësh dhe jo nga një ekspert i vetëm nën terrorin e Ardi Veliut”,-tha Berisha.
Nga Elbasani, kryeministri Edi Rama u shpreh se opozita hedh akuza ndaj uniformave blu që të nxjerrin njerëzit në protesta. Sipas Ramës, Lear Kurti nuk ka shenja dhune në trup, por që kërkon përfundimin e hetimeve për këtë ngjarje që është e veshur me mister.
Familja e të ndjerit kërkon që vdekja e të riut të mos përdoret nga politika për qëllimet e tyre. Ata kanë kërkuar që politikanët nëse duan të shprehin ngushëllimet e tyre ta bëjnë këtë gjë si qytetarë të thjeshtë e jo me kamera e regji me vete. Përveç politikanëve, edhe mediave u është ndaluar të filmojnë homazhet për të ndjerin Kurti.
Policia e Shtetit ka vendosur të pezullojë nga detyra 3 efektivë të cilët ishin të pranishëm në momentin e shoqërimit në Komisariat të 32-vjeçarit. Kurse sonte në orën 20:00, rinia do të protestojë, por të gjithë, me vetëdije apo jo, po e bëjnë kurban 32-vjeçarin. Vdekja me mister, apo fatkeqësi e të riut duhet të zbardhet për të qetësuar prindërit që e birësuan në moshën 2-vjeçare dhe që përgjegjësit që shkojnë në burg, ose edhe të shërbejë si një moment për të ndërgjegjësuar rininë se konsumimi i lëndëve narkotike ka fund të tillë.