Kursimet që shkuan për hashash

Nga Feti ZENELI/Fjala “barishte” përdoret për të emërtuar çdo bimë pa apo me kërcell që nuk drunjëzohet, me gjethe të blerta në trajta të ndryshme, e cila rritet vetë ose mbillet si perime, bimë barishtore, etj. Megjithatë në përdorimin praktik, këtë fjalë e hasim kryesisht gjatë identifikimit apo emërtimit të bimëve të kësaj natyre që rriten vetë, jo të atyre që kultivohen për t’u përdorur si ushqim nga njerzit. Por këto kohët e fundit fjala “barishte” po përdoret si gjuhë e koduar komunikimi gjatë bisedave telefonike midis individëve që kanë lidhje me kultivimin ilegal të bimës së kanabisit, që një nga ekspertët tanë më të mirë të fushë së ekonomisë e quante me të drejtë si “bima e vdekjes”. Në një status të tij në facebook, duke foluar rreth pasojave të shumta negative të kësaj “barishteje” ai aludonte, se ka shumë gjasa që kultivimi i kanabis sativa të ketë përpirë edhe një pjesë të depozitave bankare të qytetarëve tanë, të cilat janë nxjerrë jashtë kanaleve bankare. Kishim dëgjuar deri tani shprehjen “i bëri paratë rrushe kumbulla”, por shprehjen “i bënë edhe depozitat barishte”, fatkeqsisht po e dëgjojmë për herë të parë. Por si qëndron e vërteta?

Një numër studimesh të njohura anë e mbanë rruzullit kanë provuar dobinë e përdorimit të kursimeve të ndryshme monetare si burim kryesor i përshpejtimit të ritmeve të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të vendit. Ata marrin rëndësi sidomos në vendet me ekonomi të pazhvilluar e problematike, sikundër është aktualisht ekonomia shqiptare. Eksperienca botërore tregon se nuk ka banka të shëndetshme pa një ekonomi vitale. Një ndër treguesit më të rëndësishëm për shëndetin e një banke është rritja dhe efektiviteti i investimit të depozitave. Nisur nga koncepti që “lënda e parë” e çdo bankë është paraja, mund të themi, se sa më shumë para të grumbulloj një bankë, aq më shumë shërbime bankare ofron ajo për individët dhe bizneset. Parë në këtë këndvështrim, mundësia e individëve dhe bizneseve për të depozituar para në bankë rritet paralelisht me shtimin e treguesit relativ të rritjes ekonomike. Por statistikat tregojnë se këto vitet e fundit rritja ekonomike ka qënë në nivele tepër të ulëta, për rrjedhoj nuk pritej as shtim i ndjeshëm i depozitave bankare. Megjithatë, nga ana tjetër, nuk pritej kurrësesi që niveli i këtyre depozitave të binte muaj pas muaji këto dy vitet e fundit, me një ritëm rënieje që vihet re vetëm në moment krizash ekonomike. Mjafton të kujtojmë se për periudhën korrik 2015 – korrik 2016, depozitat bankare janë zvogëluar me më shumë se 250 milionë euro apo rreth 20 milionë euro çdo muaj. Kjo është hera e parë që nga viti 2009, kur depozitat bankare shënojnë rënie të theksuar. Para 6-7 vitesh rënia u shkaktua nga paniku i krizës që filloi në vitin 2008, ndërsa tani ekspertët rendisin dy shkaqe kryesore; uljen e fortë të interesave dhe nxjerrjen prej kanaleve bankare të një pjesë të depozitave për t’u investuar në ekonominë informale, pse jo dhe atë kriminale, siç mund të quajmë në një farë mënyrë mbjelljen e kanabisit.

Në disa shkrime të mëparshme kemi parashikuar pasojat negative që mund t’u vijnë vetë bankave nga ulja e fortë e normës bazë të interesit. Dhe nuk ka më keq për një bankë se sa rënia e nivelit të depozitave, që përkthehet në zvogëlim të mundësive për të investuar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha afatet e depozitave në korrik të këtij viti rezultoi 0,78 për qind, një nivel ky më i ulët edhe se sa vetë niveli i inflacionit, çka do të thotë se përfitimi real nga depozitimi i lekëve në bankë është negativ. Krahasuar me korrikun e vitit 2013, interesi i depozitave me afat ka rënë aktualisht me gati 5 herë; nga 3,6 për qind në 0,78 për qind. Mjafton të kujtojmë, se gjatë një periudhe të shkurtër kohe, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë 13 herë për të ulur normën e interesit me qëllim nxitjen e kreditimit të ekonomisë. Megjithatë rritja e nivelit të kreditimit bankar vijon të jetë me ritme të ulëta, duke mos reflektuar aspak efektivitetin e masave të marra nga Banka e Shqipërisë, sigurisht në interes të qeverisë dhe shoqërisë, për të ulur kaq shumë normën bazë të interesit, në funksion të rritjes ekonomike. Ndërkohë, “krushqia” midis politikave bankare dhe atyre qeveritare nuk ka funksionuar, përkundrazi ka krijuar problem të reja që lidhen me depozitat, që tashmë nuk kanë të bëjnë më me ritmin e ulët të rritjes së tyre, por me rënien e volumit të depozitave nga një muaj në tjetrin, që është një fenomen tepër shqetësues, jo vetëm për bankat, po për tërë ekonominë në përgjithësi. Po ndodh, pak a shumë, si me reformën e ndërmarrë nga qeveria për formalizimin e biznesit, ku në vend që të rriteshin të ardhurat, ato u pakësuan dhe në vend që të shtoheshin punësimet, u shtuan të papunët. Mendohet se një pjesë e mirë e këtyre kursimeve që kanë dalë nga bankat të jenë zhvendosur në instrumenta të tjerë investimesh, si fondet e kursimeve të cilat garantojnë një kthim më të lartë nga interest, por pjesa më e madhe e këtyre parave mund të kenë dalë jashtë sistemit financiar dhe korrnizës së ekonomisë reale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë këtyre muajve të fundit, ekonomisë informale të vendit tonë iu shtua edhe sektori i kanabisit. Natyrisht ky sektor mund të ketë pjesën e vet të ndikimit në uljen e depozitave bankare. Nuk është çudi që propaganda e legalizimit të “bimës së vdekjes” dhe bërja e “njërit syri – qorr dhe njërit veshi – shurdh” nga qeveria për kultivimin e kanabis sativa, pothujase në të gjithë territorin e vendit tonë, të kenë thithur një pjesë të depozitave të dala nga bankat gjatë periudhës korrik 2015 – korrik 2016. Dikush, a ndoshta shumëkush mendon për momentin me naivitet ekonomik, se ky sektor po kontribuon ekonomikisht në reduktimin e varfërisë për mijëra familje, thjeshtë dhe vetëm nga që pjestarë të tyre marrin nga 1 500 deri në 3 000 lekë për ditë pune në periudha piku të shërbimeve bujqësore ndaj kësaj bime. Ky lloj perceptimi stimulohet nga shefat e menaxhimit të kësaj lloj ekonomie, të cilët “de facto” mund të jenë të “dypunësuar”, po të kemi parasysh edhe postet e ndryshme shtetrore që mbajnë, kryesisht në radhët e policisë. “Kur del zë nuk është pa gjë”, thotë populli. “Zërat” që dalin gjithandej për kaq e aq përqind për çdo rrënjë apo kilogram kanabis sativa që shkon të favor drejtuesve e punonjësve lokal të policisë, sigurisht nuk janë “…pa gjë”. Këtë lloj situate nuk e zhbën aspak ajo pjesë e mas-medias, që ndodhet nën ndikimin e “kanabistëve”, e cila u bën jehonë “aksioneve” të policisë në terren me filmime të prodhuara posaçërisht për “Shqipërinë virtual”, pasi në fakt nuk kanë asnjë lidhje me realitetin e trishtë e të pashpresë të qindra mijëra familjeve shqiptare. Por nëse ka vërtetë njeri në qeveri apo jashtë saj, që beson se ekonomia mund të rritet dhe vendi mund të zhvillohet në këtë mënyrë, atëherë i qënkemi afruar shumë buzës së greminës, ku mund të rrëzohemi edhe brenda këtij viti. Ekspertët e fushës mendojnë se ndodhemi në një situatë të ngjashme ekonomike si në fundin e vitit ‘96. Por edhe situata politike nuk është shumë e ndryshme se ajo e para 20 viteve. Më e rëndë është kjo situatë në zonat rurale, ku kultivimi i sipërfaqeve të mëdha e qindra – mijëra rrënjë kanabis, bën që të pakësohen mbjelljet e sipërfaqeve të tokës me drithëra, me perime, me foragjere për blegtorinë, etj. Njëkohësisht rënia e prodhimit bujqësor vendas, pritet që të pasohet nga rritja e çmimeve për këtë lloj prodhimi në periudhat që vijnë për shkak të shtimit të importeve që dikton plotësimin e nevojave të konsumatorëve për këto mallra konsumi të nevojës së parë. Nga ana tjetër, efekti më negativ për popullsinë e zonave ku kultivohet kjo bimë narkotike, lidhet me faktin se po vritet dëshira e njerëzve për punë të ndershme, po nxitet dembelizmi sidomos në rradhët e të rinjve dhe ushqehet shpresa e rreme, se mund të punosh pak por mund të sigurosh të ardhurat e nevojshme për një jetesë normale, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Kështu ka ndodhur pak a shumë edhe në kohën e piramidave financiare të viteve ’96-’97, ku shumë njerëz shitën shtëpitë dhe çdo pasuri tjetër të familjes për t’i “investuar” në skema mashtruese, duke besuar se paratë rriten si bar livadhi. Fundi i tyre dihet dhe pasojat, për fat të keq, janë ende të pranishme, jo vetëm në ekonomi e financa, por mbi të gjithë në mentalitetin e njerëzve tanë, që mesa duket qënkan dënuar me “mosreflektim”. Natyrisht duhet të jemi koshient se është interesi ekonomik dhe “forcat e verbëra të tregut”, që i hapin rrugën vetes për pak më shumë para në një kohë më të shkurtër dhe me risk shumë të lartë, që i nxit individët, kryesisht në zonat rurale, të kultivojnë kanabis sativa në tokat e tyre, por fatkeqsisht nuk po shohim “ndërhyrjen e shtetit në ekonomi” si përgjegjësi kushtetuese, morale, ligjore dhe institucionale, në radhë të parë e qeverisë për të bërë çdo gjë në aspektin e mundësimit të një pune të ndershme për këtë kategori individësh, duke kontribuar kështu në zhvillimin e qëndrueshëm të degës së bujqësisë dhe të ekonomisë sonë kombëtare në tërësi. Një nga ekspertët tanë më në zë në fushën e ekonomisë dhe financave mendon se, aq më tepër pritet kjo “ndërhyrje e shtetit në ekonomi”, kur qeveria ka rritur borxhin publik në kufinjë të rrezikshëm dhe duhet detyrimisht të mundësojë uljen e tij; në kushtet kur konsumi është në rënie të cilën e dëshmon edhe rënia e njëkohshme e importeve dhe e eksporteve, si dhe pakësimi i depozitave bankare sikundër e përmendëm pak më lart; në kushtet kur sektori informal i ekonomisë duket se është reduktuar gjatë dy viteve të fundit, por edhe ka ndryshuar format e shfaqjes së tij; në kushtet kur papunësia, sidomos ndër të rinjtë mbetet ende shumë e lartë dhe që përbën, ndoshta, dështimin më të madh të qeverisë aktuale. Probleme të tjera janë ato, që lidhen me mungesën e investimeve të huaja, sidomos të atyre në formën e investimeve kapitale në përbërje të tyre, me ndryshimin e pronësisë së një numri sektorësh të shfrytëzimit të burimeve natyrore ku kanë qënë prezente investimet e huaja dhe kalimin e tyre në duart e kompanive kineze jo aq familjare me sektorët dhe me rajonin, me natyrën koloniale të eksporteve shqiptare strategjike, kryesisht me lëndë të para të papërpunuara, etj. Gjatë viteve të fundit është vënë re edhe rënia e dukshme e prurjeve monetare të emigracionit, si dhe largimi nga vendi i qindra mijëra shqiptarëve, shumica në moshë të re drejt vendeve perëndimore, etj. Prania e gjerë (më shumë se gjysma) e kompanive offshore ka çuar në pakësimin e dukshëm të kontributeve në buxhetin e shtetit nga shfrytëzimi i pasurive të rëndësishme strategjike të vendit, dhe shtimi i pranisë së kompanive të tilla duket se po bëhet kryesisht nën influencen e interesave politike dhe pa transparencën e nevojshme si dhe kundrejt “vargonjve” ligjore që nuk premtojnë asnjë përmirësim as në dekadat e ardhshme në këtë fushë. Domethënë pasuritë e brezave nuk po menaxhohen në përputhje për përvojat e mira të botës, si dhe po u jepen të huajve apo ortakëve të tyre të dukshëm dhe padukshëm vendas në kushte tejet të pafavorshme për interesat e ekonomisë sonë kombëtare. Zhvillimet e ditëve të fundit në tregun e sigurimeve, por edhe ato të mëparshme në sistemin bankar e në tregje të tjera tregojnë se edhe sistemi rregullator është inefiçient, i orientuar dukshëm drejt interesave të industrive që dëmton konkurrencën, me probleme serioze të paftësisë profesionale apo ekspertizës së bordeve mbikqyrëse, si dhe gjerësisht të politizuar dhe nën ndikimin e lobeve të biznesit dhe të oligarkisë. Në të gjitha këto raste qeveria, që përfaqëson “…trurin e shtetit”, duhet të ketë parasysh mësimet dhe eksperiencën e vyer të Uilliam Lyon Mackenzie King, kryeministër i Kanadasë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më jetëgjati në këtë vend, që kishte si moto: “Ndihmoni ata që s’mund të ndihmojnë veten e tyre!…”.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?