Kush do të jetë në qeverinë Rama 4?
Në zgjedhjet e 11 Majit, Partia Socialiste mori 83 mandate dhe besimin e qytetarëve votues për një mandat të katër. Kur sytë janë sesi do të jetë ekzekutivi i ri, qeveria ”Rama 3” ka marrë zyrtarisht pushimet verore. Edhe pse u njoftua si një mbledhje pune, kryeministri Edi Rama u ka komunikuar ministrave të tij se mbledhja e radhës do të jetë në fund të gushtit, dhe nga ky moment mund të nisin pushimet.
Pas një muaji pritet të mësohen edhe emrat e rinj të qeverisë dhe ministrat që do të marrin edhe një mandat tjetër. Gjatë gjithë kësaj kohe, Rama ka kërkuar efikasitet nga puna e ministrave, duke u kërkuar monitorim në terren të aksionit për lirimin e hapësirave publike, apo asaj që Rama e ka quajtur reformë për zhvillimin e territorit.
Nuk kanë munguar herë pas here kritikat, ndërsa vetëm në fund të gushtit do të mësohet se si kanë performuar dhe sa e kanë bindur Ramën për të marrë edhe një mandat tjetër. Po ashtu, kreu i qeverisë ka njoftuar edhe ndryshime në parti dhe kjo vjeshtë nuk do të jetë aspak e qetë për socialistët.
Lëvizja e parë e qeverisë ishte Ina Majko, e cila është emëruar zv/ministre e Shëndetësisë. Ishte Rama ai i cili e paralajmëroi gjatë fushatës elektorale se kandidatja e PS në Qarkun e Vlorës, nga lista e hapur, do të ishte pjesë e kabinetit të ardhshëm, nëse nuk do të arrinte të fitonte mandatin e deputetes.
KOHA JONË SONDAZH

