Kush do ti ndalojë burrat vr*sës?
Shkruar nga: Redjon Shtylla
Pse po vriten gratë? Viti 2024 nisi me lajme alarmuese, me vrasje, masakrim të qënies që sjell jetë. Burra që vrasin gra, burra që përdhunojnë dhe burra që martohen me minorene. Çfarë dreqin po shkon keq në këtë shoqërinë tonë? Bedrija, pse e vrau veten? Po në Greqi, pse 41-vjeçarja shqiptare u vra edhe pse shtatzënë? Në Divjakë pse një minorene u bë nuse që 14-vjeçe? Ka ardhur koha që mosmbrojtja që kanë gratë, të kthehet në një problem kombëtar. Vajtimi në rrjete sociale dhe në portale me lajme bombarduese, nuk shpëton gratë nga krahët e burrave vrasës, por shton më shumë dozën e krimit dhe e kthen gjendjen e frikshme, në një serial dramatik. jeta nuk është telenovelë, aty ku vrasja është normale. Jeta është e shenjtë, dhe shteti ka detyrimin për të dhënë siguri.
Në një shoqëri ku burrat vrasin gratë, psikologët shkaqet i shohin komplekse. Nisin me mënyrën sesi i rrisim dhe edukojmë djemtë. ”Pronë” shprehen burrat për gratë e tyre pasi pijnë ndonjë gotë raki, por gruaja sjell jetë, nuk vret. Një mentalitet i vjetër që ende jeton në zona të ndryshme të Shqipërisë sonë që kërkon Europën. Ky mentalitet ndryshon me mbështetje ekonomike dhe strehë konkrete për gratë që detyrohen të jenë në ferr, pasi nuk kanë shpresë, e as një rreze drite. Qeveria duhet të punojë në fuqizimin e gruas në vend, jo vetëm me gratë e qeverisë, që kanë pushtet ekonomik dhe janë larg realitetit.
Kush do ti ndalojë burrat vrasës? A duhet ky popull të shohë shembull konkret të vrasjes publike të burrave që u marrin jetën grave, që abuzojnë me to? Aktivistë të mbrojtjes së të drejtave të grave thonë se reagimi i institucioneve, por edhe vetë shoqërisë është i pamjaftueshëm në parandalimin e të tilla tragjedive. Çdo vit Shqipëria shënon statistika shqetësuese të grave të vrara dhe të dhunuara.
Jemi lodhur me lajmet për urdhërat e mbrojtjes që jep Policia. Janë vetëm letra të bardha ku shënohet emrat e grave, ku në shumë raste viktimat janë të detyruara që të bashkëjetojnë në një çati me dhunuesin e tyre. Prej vitesh flitet për barazi dhe mbrojtje të gruas, por realiteti është larg tablosë që shfaqet në ekranet e bukura televizive. Realitetin e shohim çdo ditë me sy, qoftë edhe në fanmlijet tona, sesi burri bën ligjin, por edhe maliqin.
Nëse duam të mbrojmë vërtetë gruan, duhet të heqin pjesën e kalbur të sistemit mbrojtës që po i bën ëngjëj në parajsë. Të kemi polici, gjykata dhe shoqata që punojnë, e jo që vajtojnë pas çdo vrasje dhe harrohen në zyra duke dhënë shifra dhe statistika. Nëse duam që të mbrojmë gratë, duhet të gjejmë sesi të ndalojë burrat vrasës. Thembra e akilit nuk është vetëm sigurimi i jetës së gruas, por edhe sesi të mos kemi burra që vrasin gratë. Ky është alarmi sot, si të ndalojmë burrat vrasës, që në Shqipërinë tonë fatkeqësisht janë shumë!