Kush e drejton PD-në? Garda e jep një sinjal në lidhje me Bashën

Kush është kryetari i PD-së? Debati mori konotacion tjetër pas sulmit fizik ndaj Sali Berishës në 6 dhjetor, parë kjo edhe në aspektin e sigurisë fizike.

Ligji për Gardën e Republikës parashikon se ky institucion merr në mbrojtje kryetarin e partisë më të madhe opozitare. Se cila është partia, e tregon rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit, por se kush është kryetari, vijon të jetë temë e debatit publik. A2 CNN pyeti Gardën e Republikës nëse Sali Berisha është person në mbrojtje si kryetar i PD-së.

“Kryeministri, pas mbarimit të mandatit qeverisës, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për 4 vjet. Kështu, Sali Berisha ka gëzuar të drejtën e mbrojtjes personale sipas statusit të ish-kryeministrit. Pas mbarimit të statusit, nuk është ruajtur më nga Garda e Republikës”.

Gjykata e Tiranës vijon të njohë si kryetar Bashën pavarësisht dorëheqjes së tij, ndërsa Garda ia ka hequr mbrojtjen.

“Z. Lulzim Basha u ruajt deri në momentin kur dha dorëheqjen nga funksioni i Kryetarit. Sa i përket z. Enkelejd Alibeajt, nuk është ruajtur dhe mbrojtur në asnjë moment nga Garda e Republikës, pasi nënkryetarët e partive nuk janë subjekt për t’u siguruar nga Garda”.

Pra Institucioni i Gardës duket të jetë i pari që ka njohur de jure e “de facto” largimin e Lulzim Bashës duke i hequr atij mbrojtjen, ndërsa se cili është kryetari, pret ta saktësojë Gjykata për 2023.

SHKARKO APP