Kush e kërkoi vrasjen e shefit të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe?

Shefi i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj ka mbetur i plagosur bashkë me babanë e tij dhe bashkëshorten nga një atentat me armë zjarri në lagjen “Dobrac” të Shkodrës. 37-vjeçari ra pre e atentatit ndërsa po udhëtonte në rrugën Shkodër-Koplik, në vendin e quajtur “5 heronjtë”.

37-vjeçari është transportuar drejt spitalit të Traumës pasi ka paraqitur komplikacione dhe mjekët e spitalit rajonal të Shkodrës kanë vlerësuar dërgimin në Tiranë për mjekim të specializuar. Ndërkohë i ati i tij, Xhelal Hasanaj, 70-vjeç po merr mjekim në spitalin rajonal kurse bashkëshortja doli e padëmtuar nga atentati.

Nga sa raportohet deri më tani, autorë kanë qenë 2 persona me motor. Nuk dihen ende shkaqet por mendohet se ka lidhje me detyrën e 37-vjeçarit. Një nga pistat mund të jetë edhe ngjarja e fundit në këtë zonë, ajo e vrasjes të dy të rinjëve për parcelat me kanabis.

Njoftimi i plotë nga Policia e Shtetit

Më datë 11.10.2020, rreth orës 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, një person i paidentifikuar që qarkullonte me motomjet, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të Policisë bashkiake Malësia e Madhe ku udhëtonin shtetasit M. H. 37 vjeç, V. H. 28 vjeçe dhe Xh. H. 70 vjeç, banues në Malësinë e Madhe.

Si pasojë janë plagosur shtetasit M. H, me detyrë Shefi i Policisë bashkiake në Malësinë e Madhe dhe Xh. H., i ati i tij, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjeksore

Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe po kontrollohet zona ku dyshohet se ka lëvizur autori. Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar edhe forcat e FNSH Shkodër ku vijon kontrolli masiv i territorit për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën intensive për grumbullimin dhe fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe indentifikimin e autorit.

SHKARKO APP