Kush është Gregory Bovino, “fytyra” e goditjes ushtarake të Trump në Minneapolis?
Gregory Bovino, komandanti i lartë i Patrullës Kufitare që ka udhëhequr përpjekjet federale për zbatimin e ligjit të emigracionit në Minneapolis, pritet të largohet nga qyteti, sipas raportimeve që citojnë burime anonime.
Largimi i tij i pritshëm vjen mes një vëzhgimi dhe kritike intensive ndaj goditjes federale, pas dy të shtënave vdekjeprurëse të fundit që përfshinë agjentë të emigracionit, të cilët qëlluan për vdekje protestuesen Renee Nicole Good dhe infermierin e njësisë së kujdesit intensiv (ICU), Alex Pretti, në qytet, më herët këtë muaj.
Kush është Gregory Bovino?
Për shtatë muaj, Bovino ka qenë një figurë kyçe në goditjen ndaj emigracionit nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Ai tërhoqi vëmendje kombëtare verën e kaluar pasi ndihmoi në drejtimin e një operacioni të madh në Los Anxhelos, i cili çoi në më shumë se 5,000 arrestime. Që atëherë, ai ka mbikëqyrur operacione të ngjashme zbatimi të ligjit në disa qytete të drejtuara nga demokratët, përfshirë Çikagon, Charlotte, New Orleans dhe së fundmi Minneapolis.
Përveç punës në terren, Bovino ka ndërtuar një profil të fortë publik, duke shpërndarë shpesh video nga operacionet dhe duke përdorur rrjetet sociale për të promovuar agjentët e tij dhe për t’iu përgjigjur kritikëve një stil që e ka bërë atë shumë të dukshëm dhe të diskutueshëm.
Në Minneapolis, videot ku ai shihet duke ecur nëpër rrugë me një pallto të gjatë jeshile, në stil komandanti ushtarak, duke u bërtitur protestuesve që të largohen nga rruga, kanë nxitur krahasime me një estetikë “fashiste”, përfshirë edhe nga disa komentatorë gjermanë.
Në Minneapolis, Bovino u bë zyrtari federal më i dukshëm gjatë Operacionit Metro Surge, përpjekja e Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE), e cila shkaktoi polemika të mëdha pas dy të shtënave vdekjeprurëse — fillimisht ndaj Good në fillim të janarit, dhe më pas ndaj Prettit, një infermier 37-vjeçar i kujdesit intensiv, i qëlluar nga agjentë të Patrullës Kufitare.
Pas vrasjes së Prettit, Bovino mbrojti veprimet e agjentëve, duke pretenduar se Pretti “donte të shkaktonte dëmin maksimal dhe të masakronte forcat e rendit”.
“Fakti që ata janë shumë të trajnuar parandaloi çdo të shtënë specifike ndaj forcave të rendit, ndaj punë e mirë për forcat tona të rendit që e neutralizuan përpara se të ishte në gjendje ta bënte këtë,” tha Bovino për CNN.
Dëshmitarë, zyrtarë lokalë dhe familja e Prettit e kanë kundërshtuar këtë version, duke thënë se ai po mbante një telefon, jo një armë, në momentin kur u qëllua.
Bovino ka lindur në Kaliforni në mars të vitit 1970 dhe është rritur në Karolinën e Veriut.
Interesi i tij për zbatimin e ligjit u formësua herët. Në një intervistë vitin e kaluar, motra e Bovinos, Natalie, kujtoi se sa fort kishte reaguar ai ndaj serialit televiziv The Border, i cili fokusohej te Patrulla Kufitare e SHBA-së.
“Greg ishte shumë i entuziazmuar sepse i pëlqente ashpërsia dhe vlerat e këtyre veteranëve,” tha ajo, sipas një raporti të gazetës britanike The Times of London.
“Pastaj e pa serialin dhe personazhi i Patrullës Kufitare ishte kriminel. Greg u kthye në shtëpi jashtëzakonisht i zemëruar. Që atëherë ai thoshte: ‘Shok, dua të bëhem pjesë e Patrullës Kufitare.’”
Sipas një raporti të Chicago Sun-Times, babai i Bovinos, Mike Bovino, u përfshi në një aksident fatal në vitin 1981, duke vrarë një grua të re pasi “u përplas në mënyrë ballore me kamionin e tij në gjendje të dehur”.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se gjyqtari urdhëroi Mike Bovino të vuante dënim në burgun shtetëror “për trajtimin e alkoolizmit të tij”. Ai u burgos për katër muaj dhe, sipas raportit, padia ligjore detyroi shitjen e barit familjar dhe të pronës ku ai ndodhej. Më vonë, nëna e Gregut, Betty Bovino, kërkoi divorcin, duke fituar kujdestarinë e tre fëmijëve të çiftit si pjesë e marrëveshjes.
Bovino iu bashkua Patrullës Kufitare të SHBA-së në vitin 1996, duke nisur karrierën e tij në El Paso, Teksas, një qendër kyçe për zbatimin e ligjit kufitar.
Gjatë dekadës pasuese, ai kaloi në role drejtuese të larta në të gjithë jugperëndimin, përfshirë Arizonën dhe Kaliforninë, si edhe në New Orleans në juglindje.
Së fundmi, Bovino është bërë një nga fytyrat më të njohura të zbatimit të ligjit të emigracionit në SHBA, pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
A u shkarkua Bovino?
Zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), Tricia McLaughlin, i mohoi thashethemet se Bovino ishte shkarkuar, duke deklaruar në një postim në platformën X se: “Shefi Gregory Bovino NUK është liruar nga detyrat e tij.”
Kush është Tom Homan, “cari i kufirit” i Trumpit që po shkon në Minneapolis?
Megjithatë, Bovino tani nuk po udhëheq më aktivitetet e ICE në Minnessota.
Në vend të tij, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka caktuar Tom Homanin, të ashtuquajturin “car i kufirit”, për të marrë drejtimin e goditjes ndaj emigrantëve në këtë shtet të rajonit të Mesperëndimit.
Një zyrtar veteran i emigracionit amerikan me më shumë se katër dekada përvojë në zbatimin e ligjeve kufitare dhe të emigracionit, Homan, 64 vjeç, u bë figurë kyçe gjatë administratës së Barack Obamës, duke drejtuar njësinë e ICE-it për Operacionet e Zbatimit dhe Dëbimit. Kjo degë e ICE-it është përgjegjëse për gjetjen e personave me urdhra dëbimi dhe largimin e tyre nga vendi.
Në vitin 2015, gjatë presidencës së Obamës, Homan mori Çmimin e Rangut Presidencial, një nga nderimet më të larta për nëpunësit e lartë civilë.
Sipas raportimeve, në janar 2017, gjatë festës së daljes së tij në pension, zgjedhja e atëhershme e Trumpit për sekretar të Sigurisë Kombëtare, John Kelly, i kërkoi Homanit të qëndronte në ICE. Pas një fundjave reflektimi, Homan pranoi ofertën dhe u shndërrua në një figurë udhëheqëse të administratës së parë të Trumpit gjatë katër viteve të saj të trazuara.
Nën Obamën, SHBA-ja realizoi 432,000 dëbime në vitin 2013 shifra më e lartë vjetore që nga fillimi i regjistrimeve, deri në vitin 2025. Dëbimet gjatë administratës së parë të Trumpit nuk e kaluan kurrë shifrën 350,000. Por në dhjetor 2025, DHS njoftoi se administrata Trump kishte dëbuar mbi 600,000 persona në 11 muajt e parë pas rikthimit të tij në detyrë, ndërsa edhe 2.5 milionë persona të tjerë ishin “vetë-dëbuar” — kishin lënë vendin vullnetarisht. Si pasojë, për herë të parë pas dekadash, SHBA-ja pati emigracion neto negativ në vitin 2025.
Homan, të cilin Trump e punësoi për të mbikëqyrur sigurinë kufitare në mandatin e tij të dytë, ka qenë në qendër të goditjes së administratës ndaj emigrantëve. Tani, me emërimin në Minesota, fusha e veprimit të rolit të tij është zgjeruar duke përfshirë veprime kontroverse të ICE-it larg kufirit jugor.
“Po e dërgoj Tom Homanin sonte në Minesota,” shkroi Trump të hënën në Truth Social.
“Ai nuk ka qenë i përfshirë më parë në atë zonë, por njeh dhe i pëlqen shumë njerëz atje. Tom është i ashpër, por i drejtë, dhe do të raportojë drejtpërdrejt tek unë,” shtoi presidenti.
Cili është qëndrimi i Homanit ndaj emigracionit?
Kur u emërua “car i kufirit”, Homan u pa gjerësisht si një figurë që jo vetëm ndante pikëpamjet e ashpra të Trumpit, por sillte edhe përvojë të gjerë praktike në zbatimin dhe politikën e emigracionit.
Homan e paraqet emigracionin e paligjshëm si një çështje bardh e zi dhe nuk ka kërkuar falje për politikën e Trumpit që synon të gjithë personat në vend pa dokumentacion të rregullt.
“Nëse jeni në vend në mënyrë të paligjshme, duhet të shqetësoheni,” tha ai në një intervistë të vitit 2018 për agjencinë e lajmeve Associated Press.
“Kështu duhet të jetë. Ashtu si nëse unë shkel shpejtësinë në autostradë a shqetësohem se do të marr një gjobë? Ose nëse gënjen në deklaratën e taksave a shqetësohesh për një auditim?”
Por vetë Homan është përballur me akuza për paligjshmëri në shtator 2024, sipas raportimeve, ai u regjistrua duke pranuar një çantë që përmbante 50,000 dollarë cash nga agjentë të fshehtë të FBI-së. Homan dhe Shtëpia e Bardhë e Trumpit i kanë mohuar akuzat, por administrata deri tani nuk ka shpjeguar se çfarë ndodhi me paratë.
KOHA JONË SONDAZH

