Kush janë “Sekretet e vogla profesionale… që Arbesa Kurtin e bën të besojë te drejtësia?!

Albert Vataj

Edhe pse filozofi i madhe grek Aristoteli mendonte se “Në rastin më të mirë, njeriu është më fisniku nga të gjitha kafshët; i ndarë nga ligji dhe drejtësia ai është më i keqi”, Arbesa Kurti na thërret përmes një libri dhe përvojës së saj të besojmë, se kjo qenie që refuzoi Paqen e Përjetshme të krijuesit, duke ikur nga Kopshti Eden, si i dëbuar, për t’iu dhënë betejës epike për liri jashtë kornizave të diktatit suprem, ende beson, përkundër një luftë mbi të cilën atij ju desh dhe i duhet të ngadhënjejë.

Kjo zonjë që vjen nga një përvojë ekselence e përgatitjes akademike, me më shumë ambicie se sa ëndrra, me pasionin dhe përkushtimin, e pse jo për të sfiduar çfarë e ka marrë nën akuzë drejtësinë dhe gjithë ligjësinë, mbi të cilat ka gjeneruar papajtueshmëri koha dhe njeriu, për të treguar se, po, është një Zot që urdhëron për drejtësi, edhe pse rebelizmi ynë që polli ligjin, gjithnjë është kujdesuar të ketë një mur të trashë në mes, kokëfortësia e të qenit i lirë përballë papajtueshmërisë së asaj që, “Disa gjëra të ndaluara edhe pse nuk t’i lejon ligji, nuk t’i pranon ndërgjegjja”. Është kjo ndërgjegje, ky vullnet sovran i mbajtjes në ekuilibër të një bote kontradiktash dhe diversitete, mosbindjeje dhe kacafytjeje, që ka aspiruar vullnetin e saj t’i hyjë drejtësisë si një e drejtë legjitimë për integritet dhe dinjitet, jo tamam si shpëtim, por si një dhe të vetmen udhë që duhet të ndjekin profesionistët, pavarësisht se në çfarë nënshtrese të ligjzbatimit ai ka zgjedhur të ketë fushëbetejën e tij sublime.

“Sekretet e vogla profesionale, unë besoj…” është jo vetëm një libër me autore, Arbesa Kurti, e cila vjen të ndajë me kolegët dhe jo vetëm, më shumë se përvojën e saj, besimin, atë që ajo konsideron si të shenjtë për profesionin, që i ka kushtuar jetën, ai është një “bibël” për ata dishepuj që besojnë në fenë e së drejtës, si vullnet sovran dhe jo si një kredo përfitimesh financiare.

Sepse Arbesa Kurti beson, dhe nuk janë dhe aq ata rreth sajë që ndajnë të njëjtin tempull, dhe i luten të njëjtit Zot, se “Drejtësia duhet të udhëhiqet nga e drejta, integriteti i lartë  moral dhe profesional, humanizmi, mirësia për ta parë situatën pa paragjykime, duke pasur si qëllim përfundimtar  garantimin e një rendi shoqëror të sigurt, të qetë dhe të drejtë.

Të bësh drejtësi dhe të punosh në fushën e së drejtës, pavarësisht rolit që të është dhënë apo ke marrë përsipër, kërkon përcaktimin e disa parimeve dhe shtyllave, të cilave duhet t’u qëndrosh besnik gjatë gjithë karrierës. Çdokush nga ne, si profesionist i ligjit, ka detyrimin moral dhe ligjor të krijojë dhe të vendosë një tullë apo gjurmë në tempullin e drejtësisë, që drejtësia jo vetëm të vihet në vend dhe të triumfojë, por dhe të ndihet që po bëhet, tani dhe për brezat e së ardhmes. Të punosh në fushën e së drejtës, pavarësisht funksionit si jurist në një kompani, asistent ligjor, këshillues ligjor, avokat, prokuror, gjyqtar, kërkon jo vetëm pasion dhe vullnet për të mbajtur pishtarin e drejtësisë ndezur, por dhe disiplinë për t’u organizuar, punuar dhe zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme. Janë elementë dhe standarde, në dukje të vogla, por që bëjnë  diferencën dhe mund të krijojnë themele të forta të të qenit një profesionist i mirë dhe, mbi të gjitha, i drejtë. Ndërtimi i këtyre themeleve kërkon përkushtim, pasion, empati, humanizëm, disiplinë dhe vetëzhvillim të vazhdueshëm. Kujdes se çfarë standartesh vendos dhe çfarë vendimesh merr në punën tënde, pasi kompromisi në kurriz të së drejtës, mund të të bëjë ty kurban të padrejtësisë, nesër!

Kjo sfidë komunikimi me ata që i janë dedikuar drejtësisë, Kurti nuk pretendon se është fillimi ngjitjes në apogje të fjalës që udhëprinë vullnetin e njerëzve të përkushtuar t’i shërbejnë të drejtës, ligjit, i asaj që ajo beson. Ajo guxon që përmes kësaj sprove të sjellë një bashkëkomunikim me profesionistët e ligjit, por edhe për të gjithë ekspertet e fushave të ndryshme, të cilët duan të ndërtojnë një karrierë me dinjitet, integritet dhe vlera profesionale. Ky libër është një ftesë për një qasje ndryshe e mënyrës sesi studentë apo ekspertë të të drejtes duhet ta ushtrojne profesionin e tyre. Libri shpërndahet ekskluzivisht nga Bukinist.al për lexuesit dhe rrjetin e librarive në Shqipëri dhe Kosovë.

Kush është Arbesa Kurti?

Natyrisht që pas këtij guximi të një rishtareje që vjen krenueshëm dhe thërret zëshëm, për të treguar sekretet e një botë që ka një prej historive më të më gjata dhe më të garrametshme të njerëzimit, më të ngërthyerat në mister e misticizëm, trill dhe loje, intriga dhe makinacione, falje dhe pendime, luftërash dhe vrasje si statistikë, filozofi dhe dokrinizëm, është ajo që me fjalën dhe nderin, kërkon të dëshmojë se kemi ende arsye për të besuar, se e drejta ka gjithnjë të drejtë.

Arbesa Kurti, ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Tiranë, Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2011. Ka përfunduar studimet e Masterit Shkencor në të Drejtën Penale në Universitetin e Tiranë, Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2013 me rezultate shumë të larta (vlerësuar me Medalje Ari). Nga viti 2011 është angazhuar pranë shoqërisë civile dhe ka asistuar në çështje të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si aksesi në drejtësi, e drejta e punës, e drejta e strehimit, të drejtat e viktimave, të miturit në koflikt me ligjin, e drejta e transportit, e drejta e informimit, e drejta e konsultimit publik etj., si dhe ka marrë pjesë dhe ka koordinuar grupet e punës për hartimin e një sërë studimeve në të drejtat e sipërcituara. Nga viti 2014 është angazhuar si avokate në përpilimin, mbrojtjen dhe përfaqësimin e çështjeve të ndryshme civile, administrative, familjare, të drejtat e punës etj. pranë gjykatave të shkallës së parë, Gjykatës së Apelit, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, GJEDNJ. Nga viti 2016 deri në Korrik të vitit 2022 është angazhuar si pedagoge e jashtme pranë Departamenti Penal, Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. 1 Është autore, bashkautorë dhe pjesë e grupeve të punës në rreth 22 studime dhe 22 artikuj shkencor në fusha të ndryshme të së drejtës, përfshirë dhe të drejtat e njeriut, të drejtat e viktimave, të drejtat e punës, të drejtat e të miturve/rinjve në konflikt me ligjin, transporti publik, e drejta mjedisore, e drejta e strehimit, e drejta e punës, zbatimi i mosmarrëveshjeve me ndërmjetësim etj.

Libri nuk është për profesionistët e drejtësisë dhe vetëm për ata, por për të gjithë që besojnë si Arbesa Kurti se “Drejtësia duhet të udhëhiqet nga e drejta, integriteti i lartë  moral dhe profesional, humanizmi, mirësia për ta parë situatën pa paragjykime, duke pasur si qëllim përfundimtar  garantimin e një rendi shoqëror të sigurt, të qetë dhe të drejtë”.

Unë besoj!

SHKARKO APP