Kush mban armë në Shqipëri, policia krijon regjistër elektronik

Armët e zjarrit në Shqipëri tashmë do të jenë të regjistruara, në një bazë të të dhënave elektronike. Policia e Shtetit, falë një donacioni të Bashkimit Europian, do të krijojë regjistrin elektronik kombëtar i quajtur SIMA, që vjen si domosdoshmëri edhe pas ndryshimeve të një viti më parë në ligjin për armët.

“Krijim i një baze të dhënash elektronike, siç është regjistri elektronik i armëve, do të ketë ndikimin e vet duke rritur kontrollin ndaj armëve të lehta dhe të trafikimit apo përdorimit të tyre nga të gjitha kategoritë shoqërore. Ky regjistër do të përmirësojë edhe sistemet e policisë së shtetit në regjistrimin dhe mbajtjes së të dhënave në lidhje me armët, poseduesve të tyre, dhe duke gjeneruar informacion të vlefshëm në çfarëdo lloj kohe për administratorët, përdoruesit dhe mbikqyrësit e armëve”, tha Haki Çako, drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

“Ky aplikacion do të regjistrojë çdo armë që do të jetë e regjistruar nga strukturat policore po dhe çdo armë private në pronësi të subjekteve juridike-fizike. Ligji i ri për armët ka bërë të domosdoshëm kontrollin e armëve në format elektronik”, tha më tej Ilirjan Mustafaraj, zv. ministër i Brendshëm.

Krijimi i regjistrit kombëtar të armëve ishte edhe një rekomandim i Bashkimit Europian në fushën e sigurisë, në kushtet kur vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten shtete tranzit në trafikimin ndërkombëtar të armëve.

SHKARKO APP