Kushi takim me maturantët: Një proces i drejtë, do të reflektohen vështirësitë gjatë pandemisë

Provimet e Maturës Shtetërore po afrojnë, ndaj dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me maturantë të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë. ”Përpos vështirësive të një viti shkollor të zhvilluar në kushtet e pandemisë, jam e lumtur të takoj dhe diskutoj konstuktivisht me të rinj të matur, të përgatitur, që japin sugjerime të frytshme dhe që pasqyrojnë vlerat më të larta të shoqërisë tonë”, shprehet Kushi.

Duke falenderur nxënësit dhe mësuesit për përballimin me sukses të këtij viti të vështirë shkollor, Kushi e cilëson takimin me ta si shumë mbresëlënës. Po ashtu, ajo shprehet se në thelb të bashkëbisedimit kanë qenë një sërë pikash me rëndësi si rikthimi në shkollë i maturantëve, puna e bërë për plotësimin e njohurive në lëndët e provimeve, organizimi i konsultimeve në lëndët e provimeve të detyruara dhe lëndët më zgjedhje.

Kushi ka diskutuar me maturantët edhe për organizimin e testeve para-maturë me qëllim njohjen e strukturës së testit, menaxhimin e kohës, si dhe sistemimin e njohurive të marra gjatë tre viteve, sikurse është ndalur edhe tek këshillimi i karrierës për vazhdimin e studimeve të mëtejshme në universitet.

Në lidhje me provimet e Maturës Shtetërore Kushi shprehet se, pas diskutimeve të gjata më përfaqësues të zyrave vendore arsimore, mësues, nxënës dhe ekspertë të arsimit, “ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit do të kemi një test ku përfshihen pyetje me zhvillim dhe pyetje me alternativa. Do të jetë një proces i drejtë dhe transparent, ku do të reflektohen edhe vështirësitë gjatë pandemisë”.

SHKARKO APP