Kushte të reja nga Franca për zgjerimin e BE-së
Zbardhen hollësi nga propozimi i Francës për reformimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Sipas dokumentit, Franca ka paraqitur katër shtylla ku duhet të ngrihet zgjerimit dhe ndër të tjera kërkohet anëtarësim gradual dhe kthyeshmëri të procesit.
Franca propozon shtimin e kushteve për vendet kandidate që duan të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Kjo është vetëm një prej katër shtyllave ku Franca kërkon që të ngrihet procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian, për të cilin presidenti Emmnuel Macron vendosi veton në takimit e tetorit të Këshillit Europian.
Ky propozim me shumë mundësi pritet të diskutohet në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian më 19 nëntor. Aty Franca thekson mbështetjen e qartë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, këmbëngulet që procesi i zgjerimit të reformohet sipas një metodologjie të re.
Së pari, kjo metodologji përfshin anëtarësimin gradual të vendeve kandidate, së dyti vendosjen e kushteve më të rrepta për vendet që synojnë anëtarësimin, së treti, përmirësimin e jetës së qytetarëve përpara anëtarësimit dhe së katërti sanksionimin e kthyeshmërisë së procesit apo mundësinë për ta anuluar atë.
Qëllimi i propozimit francez, thekson dokumenti, është anëtarësimi me të drejta të plota në Bashkimin Europian i vendeve kandidate. Ky dokument i qarkulluar vetëm në duart e disa diplomatëve, u bën thirrje vendeve anëtare për një qasje të re në lidhje me zgjerimin e BE-së.
Në dokument shpjegohet edhe vetoja franceze për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Aty theksohet transformimi shumë i ngadaltë politik, ekonomik e shoqëror i domosdoshëm për të ardhmen dhe vetë procesit e anëtarësimit.
Gjithashtu dokumenti francez thekson se përfitimet e drejtpërdrejta për qytetarët kanë qenë të papërfillshme nga reformat e ndërmarra.
“Pasi të hapen negociatat, procesi i integrimit nuk duhet të bazohet mbi shqyrtimin e kapitujve tematikë, por mbi disa etapa të njëpasnjëshme dhe një skemë të krijuar nga BE-ja, që merr parasysh karakteristikat specifike të secilit kandidat,” thuhet në dokument.
/Ora News