Kushtet e Bundestagut, Genc Pollo: Pa bërë zgjedhje, nuk ka hapje negociatash
Ish-ministri dhe ish-deputeti demokrat Genc Pollo me anë të një reagimi në rrjetin social “Facebook” shkruan se kushtet e Bundestagut janë tepër të rëndësishme për Shqipërinë.
Genc Pollo vlerëson se pa bërë zgjedhje reale, nuk ka hapje të negociatave. Ai shton se bisedimet mund të drejtohen vetëm nga qeveria e dalë pas zgjedhjeve.
Postimi i ish ministrit Genc Pollo:
Meqë me shumë të drejtë po flitet përditë për kushtet e Bundestagut por jo përherë ato kushte paraqiten në përmbajtje lipset të kujtojmë publikun se 12 kushtet duhet të përmbushen pjesërisht para Konferencës së Parë të Antarësimit (përcakton kuadrin e negociatave) e plotësisht para Konferecës së Dytë të Antarësimit (faktikisht çel negociatat). Kusht kryesor i Konferencës së Dytë janë mbajtja e zgjedhjeve pas kryerjes së reformës zgjedhore. Shkurt e përmbledhtas: 1- pa bërë zgjedhje nuk ka realisht negociata; 2- Negociatat do t’i drejtojë qeveria e dalë nga zgjedhjet.
Më poshtë pasazhi përkatës nga rezoluta e Bundestagut në shqip, gjermanisht e anglisht.
—
“Bundestagu gjithashtu i kërkon Qeverisë Federale që,
- Në Këshillin e Evropës më datë 17/18 Tetor 2019 të miratohen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë parimisht vetëm me kushtin, që
- a) Konferenca e parë e anëtarësimit të zhvillohet atëherë kur Qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:
– Sigurimi i vënies në punë dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe të Gjykatës së Lartë duke angazhuar një numër të arsyeshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh të verifikuar.
– Të merret vendim për reformën zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e komisionit ad hoc të reformës zgjedhore. Rishikimi i draftit të përgatitur atje duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5 shtator 2019.
- b) Mbajtja e konferencës së dytë të anëtarësimit dhe hapja e negociatave përmes kapitujve të parë të ndodhë, kur qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:
– Zbatimi i ligjit për reformen zgjedhore të inicuar
– Fillimi i procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme;
– Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve,
– Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj për të punuar
– Progres solid në krjimin e bilanci suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe proçedimet e para të përfunduara kundër nënpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë. Këto përfshijnë hetime proaktive, eventualisht ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar,
– Progres i prekshëm në reformën administrative, përfshirë rishikimin e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, edhe nën këndvështrimin e parregullsive,
– Një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese; nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor”