Kushtetuesja la në fuqi prishjen e godinës, Veliaj: Të ecim përpara e të ndërtojmë shtëpinë më të madhe e moderne të Teatrit në Ballkan
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaron se tashmë i është hapur rruga ndërtimit të shtëpisë më të madhe e moderne të Teatrit në Ballkan. Përmes një postimi në Twitter, Veliaj ka komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi vendimin e Këshillit Bashkiak për shembjen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar.
“Tani të ecim përpara e të ndërtojmë shtëpinë më të madhe e moderne të Teatrit në Ballkan, boll humbëm kohë me histeri, si me çdo projekt të madh! Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës, lë në fuqi vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar”, shkruan Veliaj.
Kushtetuesja vendosi sot që të rrëzojë kërkesën e Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
Ndërkaq, pranimi i kërkesës tjetër të Metës, që lidhet me procedurën e ndërtimit të Teatrit Kombëtar, nuk passjell ndonjë pasojë, pasi vetë Bashkia e Tiranës është tërhequr kohë më parë nga ligji PPP, sepse qeveria ka vendosur ta financojë vetë ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.
Një vit më parë, në një deklaratë për mediat, Bashkia e Tiranës njoftoi se u tërhoq nga procedura e ndërtimit me PPP të Teatrit të ri Kombëtar dhe i kërkoi Qeverisë Shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin.