Kuvend/ Balla-Berishës: Në rezolutën e PE nuk u miratuan amendamentet që nisët ju nga Tirana
Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla thotë se opozita ka tentuar të dëmtojë imazhin e Shqipërisë në Bruksel përmes email-eve nga Tirana, që nuk u përfshinë në rezolutën e Parlamentit Europian. Sipas tij rreth 80% e eurodeputetëve në Komisionin e Politikës së Jashtme mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe objektivin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2030. Balla falënderoi grupet kryesore politike europiane për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe vlerësoi punën e raporterëve Andreas Schieder dhe Andrey Kovachev.
“Rreth 80% e komisionit të jashtëm ishte pro-anëtarësimit të Shqipërisë, rreth 80% e komisionit të jashtëm mbështet ambicien e Shqipërisë sonë të përbashkët që t’i mbyllim negociatat brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm, dhe rreth 80% e Parlamentit Europian, pra, mbështet përmbylljen e kësaj aspirate historike deri në vitin 2030, kur gjithë së bashku të majtë e djathtë të shohim flamurin tonë kuqezi të valëvitet në oborrin e Parlamentit Europian, në oborrin e Këshillit apo të Komisionit Europian.
“Tani të shkojmë tek të vërtetat e mëdha. U tha nga njëri që ishin 300 ndërhyrje, nuk janë ndërhyrje, ishin mbi 300 amendamente, pjesa më e madhe janë rrëzuar, të atyre amendamenteve, në dokumentin e kompromisit të punuar me shumë vlerësim nga raporteri zoti Schider dhe nga raporteri nga Partia Popullore një mik i veçantë si Andrej Kovaçev. Të dy kanë bërë një punë të shkëlqyer, Komisioni rrëzoi pjesën më të madhe të amendamenteve, e vërteta është që edhe pse ndonjë amendament ishte nisur me email nga Tirana, nuk e kaloi dot filtrin e komisionit të jashtëm dhe dokumenti sot është nga ana jonë i gjithëpranuar”, tha Balla.
Po ashtu Balla komentoi edhe debatin për artikullin e Edi Ramës në median gjermane, duke deklaruar se propozimet e kryeministrit shqiptar për reformimin e vendimmarrjes në Bashkimin Europian përputhen me planin e prezantuar nga ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul.
“Tani dy gjëra që lidhen me shkrimin ose keni bërë një debat gati tre-katër javë, pesë javë tani për një shkrim të publikuar në Frankfurter Allgemeine Zeitunge. Tani përfitojmë nga rasti, e para, edhe si kryetar i shumicës edhe në pozicione tjera edhe si kryetar i delegacionit të Shqipërisë në Parlamentin Europian, ta përshëndes ministrin e jashtëm gjerman Johann Wadephul, në atë plan gjashtë pika që ka prezantuar dje. Mendoj që edhe kolegët e Partisë Demokratike duhet ta bëjnë të njëjtën gjë. Johann Wadephul është një njohës shumë i mirë edhe i politikës së jashtme, jo më kot është ministër i jashtëm i Republikës Federale Gjermane, por edhe si nënkryetar i grupit CDU-së për një kohë të gjatë, edhe në funksione të tjera, mendoj që të gjashtë pikat e tij meritojnë një mbështetje sepse në fakt kush i lexon gjashtë pikat e propozuara dje nga ministri i jashtëm gjerman janë fiks ato që ka propozuar ose le të themi ka mbështetur edhe kryeministri Rama në atë shkrim”, u shpreh Balla.
Sa i përket raportit të rezolutës së Parlamentit Europian, Balla tha se duhet “të presim miratimin në 17-18 qershor, ne jemi të gatshëm, ua thashë, vetëm për një pikë unë ende kam diçka që mendoj që deri në 17-18 qershor dy raporterët Schieder dhe Kovacev do duhet ta adresojnë”.
KOHA JONË SONDAZH

