Kuvend-Ruçi kritikon ministrat, të justifikojnë besimin e elektoratit

“Dua t’i kujtoj ministres se fjalën që paraqitët do të ishte me vend ta kishit marrë në fillim, sipas rregullores dhe procedurave parlamentare. Pasi mbyllet diskutimi dhe pasi flasin përfaqësuesit e grupeve, nuk keni më të drejtë ta merrni fjalën”, iu drejtua Ruçi ministres Harito.

Më i ashpër ai u shpreh në adresë të ministrave Damian Gjiknuri dhe Sajmir Tahiri, pasi këta diskutuan për operacionin kundër vjedhësve të energjisë.

Ruçi tha se pas një vit qeverisje ata duhet ta justifikojnë me punë votëbesimin që i ka dhënë elektorati, ndërsa theksoi mbështetjen e plotë të grupit socialist në këtë aksion masiv të OSHEE-së dhe Policisë së Shtetit.

“Nuk jam në gjendje të dalloj se kur fillon ministri dhe kur vazhdon kryeministri. Qeverisja nuk bëhet me aksion, por me qeverisje çdo ditë. Folët nga 15 minuta dy ministrat, por para së gjithash, sistemi vuan nga keqmenaxhimi dhe keqadministrimi. Janë 2252 elektriçistë që ka sistemi dhe ju mendoni se këto lidhje të paligjshme nuk i kanë bërë këta? Absolutisht, që këta i kanë bërë. Po fusni ca konsumatorë hajdutë brenda, ndërsa lihen hajdutët jashtë”, u shpreh Ruçi.

Më tej, duke iu drejtuar ministrit të Brendshëm, ai theksoi se ‘krimi nuk luftohet me aksione policie, por çdo ditë. Nuk mendoj se ka krim më të madh se ato 150 milion eurot e dëmit ekonomik”, tha Ruçi. Do ju thërrasim në interpelancë se për këtë jemi votuar, për votëbesimin që na ka dhënë elektorati, shtoi Ruçi.

SHKARKO APP