Kuvendi i Lezhës, një model unik i bashkimit kombëtar për të përcaktuar rolin në histori

Studiuesi dhe historiani Jahja Drançolli ka publikuar së fundmi në profilin e tij një hartë të territoreve që ishin nën zotërimin e kryezotëve të Besëlidhjes së Lezhës, një dokument i rëndësishëm që ndriçon përmasat gjeografike dhe politike të bashkimit të princërve arbër.

Më 2 mars 1444, me krijimin e Kuvendit apo Lidhjes së Lezhës, u hodh një hap vendimtar në historinë e shqiptarëve, duke u shënuar si një akt i parë madhor në rrugën e bashkimit kundër pushtuesve të huaj. Kjo Besëlidhje nuk ishte vetëm vepër e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe e forcave të drejtuara prej tij, por një marrëveshje strategjike mes princërve arbër, të cilët bashkuan forcat dhe burimet e tyre për krijimin e një fronti të përbashkët në mbrojtje të trojeve shqiptare.

Harta: Venezia, Istituto per gli Studi Adriatici!

Lezha (Alessio mesjetare) u bë skena e një akti të paprecedentë për kohën, duke shënuar një ndër përpjekjet më të hershme për organizimin politik dhe ushtarak të shqiptarëve në një formë të unifikuar. Kjo trashëgimi e pasur historike vijoi të frymëzojë kuvendet e tjera në histori, si Kuvendi i Dukagjinit, Kuçit, Arbrit, Prizrenit, Pejës, Verrat e Llukës, Drenicës, e të tjerë, të cilët ruajtën thelbin dhe frymën e Besëlidhjes së Lezhës: luftën çlirimtare dhe ndërtimin e një shteti të njësuar.

Në kontekstin e sotëm, kur po jetojmë një epokë të re të shtetformimit dhe të përpjekjeve për forcimin e institucioneve kombëtare, lind pyetja: Sa ka shërbyer kjo përvojë historike në ndërtimin e shtetit të ri të Republikës së Kosovës? A është fryma e Besëlidhjes së Lezhës një model i vlefshëm për bashkimin e shqiptarëve në sfidat e reja politike dhe kombëtare?

Një gjë mbetet e sigurt: historia e qëndresës, bashkimit dhe organizimit të shqiptarëve është një pasuri që duhet jo vetëm të studiohet, por edhe të vihet në funksion të të sotmes dhe të së ardhmes.

Harta e publikuar nga Jahja Drançolli: Venezia, Istituto per gli Studi Adriatici.

Albert Vataj

SHKARKO APP