Kuvendi i PD më 30 prill, përveç ndryshime pritet edhe data për zgjedhjen e kryetarit
Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso, tregon se Kuvendi i 30 prillit pritet që të sjellë një sërë ndryshimesh nga statuti i 11 dhjetorit, që lidhen me përbërjen e Këshillit Kombëtar të PD-së.
“Kanë ardhur propozimet nga degët për një traditë të PD-së, që parashikon që kryetarët e degëve, për shkak se janë zgjedhur me një anëtar, një votë, do të jenë pjesë e Këshillit Kombëtar. Ka pasur edhe propozime të karakterit teknik, për të rregulluar ato hapësira që janë lënë bosh, që kanë të bëjnë me organizimin e partisë”.
Ky Kuvend pritet që të vendosë edhe mbi datën e re në të cilën anëtarësia do të thirret për të zgjidhur kryetarin e ri të demokratëve. Prej javësh, demokratët janë përfshirë në një proces të rinovimit të institucioneve në bazë, që duhet të përfundojë deri në Kuvendin e 30 prillit.