Kuvendi mban sot homazhe në nderim të ish-deputetit Gerti Bogdani
Për të fundit herë Gerti Bogdani do të hyjë në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, jo për të mbajtur fjalë në sallën e seancave, ashtu siç bënte vite më parë, por për tu përshëndetur me miqtë, kolegët dhe dashamirësit nga arkëmorti, përpara të cilit do të përulen të gjithë ata që e deshën dhe respektuan.
Me vendim të Kuvendit, trupi i ish-deputetit demokrat do të qëndrojë në sallën e seancave plenare nga ora 10.00 deri në 12.00 të ditës së sotme, aty ku do t’i jepet lamtumira e fundit.
Pikërisht në nder të tij, seanca parlamentare e ditës së sotme, u shty nga ora 10.00 për në orën 17.00 pasdite.
Sakaq Partia Demokratike, e ka shpallur të enjten ditë zie si dhe ka pezulluar të gjithë aktivitetet partiake.
Në nderim të figurës së ish-deputetit Gert Bogdani i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 44-vjeçare, dyshohet si pasojë e infarktit, Partia Demokratike ka shpallur ditë zie ditën e enjte, datë 19 shtator 2024.
Të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike në datat 18 dhe 19 shtator në të gjithë territorin do të anulohen.
Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike, njoftoi selia blu.
Në vitin 2009, Gerti Bogdani, u zgjodh deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë në radhët e PD, ndërsa fitoi një mandat të dytë edhe në vitin 2013.