La në burg të arrestuarin me probleme mendore, që u vetëvra, KLP shpëton prokuroren nga masa

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi sot që të rrëzojë kërkesën e ILD-së për vendosjen e masës disiplinore për prokuroren Elina Kombi. KLP-së iu kërkua nga ILD-ja vendosja e masës së “tërheqjes së vërejtjes” për neglizhencë në rastin e një të paraburgosuri që u vetëvar në qeli, Bilbil Hasanit. Ai u vetëvra në dhjetor 2019 në qelitë e paraburgimit 313. Bilbil Hasani u arrestua për vjedhje, ndërsa vuante nga çrregullimet mendore. Për të njëjtën vepër penale, i ndjeri ishte dënuar edhe më parë dhe kishte marrë si masë detyruese “shtrim në spital psikiatrik”, ndërsa ILD akuzoi prokuroren për neglizhencë për rastin, pasi e dërgoi Hasanin në burg, te 313-ta, ku u vetëvra.

Me propozimin e Komisionit Disiplinor, Këshilli vendosi me 7 vota pro dhe 2 kundër (Gent Ibrahimi dhe Nurihan Seiti) rrëzimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedim disiplinor ndaj magjistrates ____  për shkak se faktet e pretenduara nuk përbëjnë shkelje disiplinore, pasi nga veprimet apo mosveprimet e prokurores, nuk konstatohet ardhja e ndonjë pasoje për palët në procedimin penal” thuhet në njoftimin e KLP-së.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e sotme online mori edhe disa vendime të rëndësishme. Këshilli vendosi me shumicë votash, të shpallë fillimin e procedurave për plotësimin e 28 vendeve vakante për drejtues prokurorie, përmes procedurës së ngritjes në detyrë. Njoftimi i vendeve vakante si dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët do të publikohen në faqen zyrtare të institucionit.

Në vijim, Këshilli miratoi caktimin e përkohshëm të prokurores Dorina Bejko, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, në funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec dhe Lazër Çardaku,  prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër në funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër për një periudhë tre mujore.

Këshilli  miratoi rregulloren mbi funksionimin e komisionit disiplinor në zhvillimin procedurave disiplinore ndaj prokurorëve. Kjo ka për qëllim të përcaktojë rregulla të detajuara duke saktësuar  procedurën që zbaton Komisioni Disiplinor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në funksion të zhvillimit të procedurave disiplinore, të filluara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ndaj magjistratëve prokuror në Republikën e Shqipërisë, sipas ligjit Për statusin e gjyqtareve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë i ndryshuar dhe rregulloren për transferimin e prokurorëve nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, e cila të përcakton rregulla të detajuara për kriteret dhe procedurën që zbaton Këshilli i Lartë i Prokurorisë për vlerësimin dhe renditjen e prokurorëve që kandidojnë për transferim nëpërmjet procedurës për lëvizje paralele, sipas ligjit  Për statusin e gjyqtareve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

/Abcnews.al

SHKARKO APP