Labirinthet e një tregu pune, 48% e të rinjve nuk punojnë në profesionet për të cilat janë arsimuar
Nga papunësia tek profesionet jashtë studimeve. Kjo përplasje mes tregut të punës dhe të rinjëve shqiptarë
Nga Erion Shehu
Tregu shqiptar i punës vijon të mbetet një vuajtje për të rinjtë shqiptarë. Me hapësira të kufizuara, me rregulla të deformuara dhe të paunifikuara, me emërime në politikë dhe me mungesë meritokracie. Një treg i tillë është kthyer në mos armiqësor, kaotik dhe tërësisht indiferent përballë dëshirës së të rinjëve për tu bërë pjesë e tij. Në kushte të tilla të një “lufte” të pashpallur, të rinjtë duhet të bëjnë sforco shumë të lartë, jo vetëm për të qenë më të kujdesshme dhe vigjilente ndaj pozicioneve të ndryshme, por edhe të përgatitur me aftësi sociale dhe individuale të zhvilluara për të qenë konkurent përballë dinamikave dhe luhatjeve të vazhdueshme të tregut të profesioneve dhe të zanateve.
Në një studim të fundit të realizuar në kuadër të projektit 3-vjeçar EU-Impact WB të financuar nga Bashkimi Europian, janë kryer hulumtime, anketime dhe studime mbi raportin e të rinjëve me tregun e punës në pesë shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë. Nga studimi që organizata “Open Doors” ka realizuar rezulton se situata në Shqipëri ka problematika të thekshme dhe qasje që ndryshojnë nga vende të tjera. Studimi ka nxjerrë disa përfundime e rekomandime.
Sondazhet dhe studimet e organizatave jo-qeveritare japin një pasqyrë gri të situatës të bashkëveprimit të rinj-treg pune.Sipas një studimi të fundit të Fondacionit Friedrich Ebert,48% e të rinjve të intervistuar, në një sondazh kombëtar me 1200 të anketuar, e që janë në marrëdhënie pune pohojnë se nuk punojnë në profesionin për të cilin janë arsimuar dhe kualifikuar, dhe 36% e të rinjëve punojnë në vende pune ku kërkohet një nivel më i ulët arsimimi se ai që ata kanë. Suela B është një kasiere në një nga supermarketet e Tiranës. Ajo është diplomuar për Master Shkencor në Financë në Fakultetin Ekonomik, por që prej tre vitesh punon në arkë pasi nuk ka mundur të gjejë një punë të përshtatshme për profesionin e saj. Suela na thotë se nuk ka qenë zgjedhja e saj të punonte në arkë, por duke parë pamundësitë, sorollatjet apo kërkesat për të paguar për një vend pune, vendosi të zgjidhte këtë pune të paktën provizorisht sikundër ajo thotë.
Si Suela janë me mijëra të rinj, që pavarësisht se kanë mbaruar ciklin e studimeve në Master e Bachelor, i drejtohen sërish punëve si call-center apo profesioneve të tjera jashtë studimeve që kanë kryer. Shumica e të rinjëve nuk kanë mundësi financiare që të presin deri në gjetjen e një pune brenda profesionit, ose të një pune paga e së cilës ti shërbejë për të jetuar mirë.
Shifrat zyrtare, raportet, anketimet por edhe specialistët e punësimit flasin për vështirësi të sigurimit të punësimit, të hasura gjerësisht tek moshat e reja dhe për një shfrytëzim jo optimal të potencialit të tyre. Romina Radonshiqi, profesoreshë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, thotë se arsyet se përse të rinjtë hasin sot vështirësi të shumta në tregun e punës janë nga më të ndryshmet. Ekspertja shton se që përpara se ata të mbërrijnë në Universitet, nuk kanë një program informues se cilat janë ato degë të cilat ofrojnë më shumë mundësi punësimi. “Gjatë studimeve mungon praktika e mirëfilltë profesionale në institucionte publike apo bizneset private”.
Tranzicioni nga shkolla në punë është po ashtu shumë i vështirë. Të sapodilomuarit nuk kanë mundësi punësimi duke qenë se i’u mungon eksperienca. Për ekspertin e karrierës Erion Muca një tjetër problematikë është mungesa e barazisë në tregun e punës. Anketime të tjera flasin për faktin se të rinjtë dalin nga bankat e shkollës duke mosnjohur realitetin dhe kulturën e punës edhe pse janë të përgatitur në nivele teorike. Nga ana tjetër, kompanitë shqiptare kërkojnë të punësojnë persona me eksperiencë dhe shpesh nuk marrin në konsideratë potencialin e të rinjve. Ekpsertja e çështjeve rinore, Klodjana Thartori është e mendimit se kjo përballje në formën e një kontradikte sjell pasoja negative tek rinia. “Unë mendoj se këtë sfidë duhet ta ndajnë, ta zbusin, apo ta rregullojnë universitetet me kompanitë private”.
Sa i sigurt është tregu i punës për të rinjtë shqiptarë? A kanë sot ata mundësi reale punësimi dhe sa të sigurt janë që për punën që do të zgjedhin? A do të përmirësohet situata në të ardhmen apo të rinjtë do të vazhdojnë të emigrojnë për mundësi punësimi jashtë vendit? Sipas një vëzhgimi kryer nga ATSH-ja, të rinjtë e kanë më të lehtë të mendojnë dhe të tentojnë të largohen nga vendi, sesa të përpiqen të gjejnë mundësi të tjera sado shpresëdhënëse në Shqipëri.
Sinoptika nuk paraqitet gjithsesi rozë. Të rinjtë shqiptarë do të vijojnë të jenë të ekspozuar nga rreziku relativisht i lartë i të prekurit nga papunësia siç edhe e tregojnë statistikat apo të dhënat e fundit. Për shkak të një situate të zymtë makroekonimike të tregjeve duale të punës, dhe të një sistemi arsimor dhe trajnues të cilit i mungojnë elementët e përfshirjes së punëdhënësit dhe përvoja e punës gjatë studimeve, të rinjtë shqiptarë do të vijojnë të përballen me një periudhë të zgjatur të mos stabilitetit në karierë. Nuk është vetëm niveli i arritjeve arsimore, por edhe cilësia e arsimit dhe lidhjet e ngushta me tregun e punës që çojnë në përvoja të ndryshme të tranzicionit nga shkolla në punë.