Laboratori i heroinës, lirohen i moshuari dhe gruaja
Gjykata e Kukësit ka dhënë masën e sigurisë për pesë të arrestuarit e laboratorit të drogës që u zbulua në Has. Në masën ”arrest me burg” janë lënë tre nga pesë të arrestuarit si Xhevit Shutin, Flamur Çela dhe Vehbi Berushi. Ndërkohë për të moshuarin Mustaf Shuti, Gjykata ka vendosur arrest shtëpie, ndërsa është dhënë masa detyrim paraqitje për Anila Shutin.
Më 19 tetor në pranga ranë Xhavit Shuti, Mustaf Shuti, Anila Shuti, Flamur Bisho Çela dhe Vehbi Barushi ndërkohë gjatë ditës së djeshme u bë arrestimi i një biznesmeni turk në fushën e tekstileve.
Emri i turkut të arrestuar ende nuk bëhet i ditur, por burimet pranë grupit hetimor thonë aktiviteti i tij përdorej si maskim për të sjellë në vendin tonë nga Turqia opium, që përdorej për përgatitjen e heroinës brenda laboratorit në Has. Në laboratorin e Hasit, ajo përpunohej dhe me pas hidhej në treg me destinacion Gjermaninë dhe vende të tjera të BE-së.
Agjencitë ligjzbatuese tregohen të rezervuara në detaje për shkak të sekretit hetimor, por mësohet se në kërkim është personi që përgatiste heroinën, i njohur ndryshe si kimisti.
Laboratori ishte ngritur në një shtëpi në fshatin Brenogë, i cili lidhet me qytetin përmes një rruge të paasfaltuar.
Objekti mësohet se ishte në pronësi të Xhavit Shutit, i cili pas arrestimit ka dëshmuar se e kishte dhënë me qira ambjentin e magazinës por nuk dinte se çfarë ndodhte brenda.
Në brendësi të laboratorit, policia gjeti të paktën 160 pako drogë me peshë 150 kg, të dyshuar si opium dhe heroine, e paketuar dhe e gatshme për transport.
Për shkak të largimit të financuesve dhe organizatorëve të këtij aktiviteti, Prokuroria dhe Policia po verifikojnë dhe mundësinë e dekonspirimit të operacionit.
KOHA JONË SONDAZH

