Lajla Përnaska, e para grua në historinë e Tiranës që garon për drejtuar qytetin. Tregon platformën
Ish-deputetja e PD-së, Lajla Përnaska është e vetmja grua në historinë e Tiranës që guxon dhe po garon për drejtuar qytetin. Që nga vendosja e Tiranës si kryeqytet, më shumë se 100 vite më parë, në krye të punëve të qytetit ka qenë vetëm burra.
“Burrat kanë atë mënyrën e tyre dhe ato teknikat e tyre, që shpesh herë bëjnë dhe marrëveshje të padukshme me pushtetin, sepse pushtetin e kanë si synim kryesor. Por unë kam goxha eksperiencë mbi supe dhe kam mësuar nga gabimet e rrugëtimit tim. Ndaj dhe mendoj se është pikërisht kjo eksperiencë që më jep avantazh të padiskutueshëm në raport me 5 burrat që janë në garë”. Lajla Përnaskën të gjithë e lidhin me Partinë Demokratike, pasi karriera e saj është ndërtuar brenda kësaj force, por këtë herë ajo garon nën siglën e PDIU. Përnaska thotë se kjo zgjedhja nuk ka qenë e dëshiruar prej saj, por e diktuar nga rrethanat.
“Ishte lidershipi i PD që ne na përjashtoi, duke humbur totalisht me memorien e vlerave historike të kësaj force politike”. Edhe zgjedhjen për të garuar nën siglën e PDIU sërish e cilëson si teknikalitet pasi dëshirën e kishte të futej si e pavarur. Ndaj, pohon se nuk identifikohet si kandidate e kësaj partie. “Deri tani nuk kam pasur asnjë lloj angazhimi me atë forcë politike dhe jam falënderuese që ma krijuan këtë mundësi në bazë dhe në respekt të ligjit për t’u bërë pjesë e garës për Tiranën”. Por pse zgjodhi që të garonte këtë herë për Tiranën? “E gjykova që në fillim që të futem si një alternativë, sepse kam gjithë investimin dhe kam një lloj hipoteke timen që është e drejtpërdrejtë për Tiranën”.
Programin e saj e lidh pashmangërisht me gratë, pasi synon që t’i përfaqësojë në këtë garë dhe të thithë sa më shumë vota prej tyre. Por edhe pse gruaja është në qendër të programit, sërish premton se nëse ajo zgjidhet në krye të Bashkisë së Tiranës do të punojë për të gjithë qytetarët.
“Nëse qytetarët e Tiranës më japin votëbesimin për të drejtuar unë Bashkinë e Tiranës, fillon më së pari me modelin e qeverisjes. Është mbulimi i të gjitha prioriteteve, problematikave që ka Tirana sot. Kemi një platformë për Tiranën sociale. Kemi një pikë të rëndësishme për zhvillimin e urbanistikës. Një pikë aq e rëndësishme është ajo e gjelbërimit. Gjelbërimi i është i është cenuar sot qytetit, pasi Tirana nuk njihet sot, sepse ka pasur hapësira pa fund të gjelbra. Ne duam me fanatizëm që të ruajmë këtë nivel gjelbërimi edhe ta shtojmë më shumë. Por do kemi plan dhe për fëmijët, duke filluar që nga shkollat 9-vjeçare duke ngritur disa fidanishte në mjediset e shkollave. Pikë shumë e rëndësishme dhe prioritet edhe mbështetja për gratë dhe vajzat, pasi janë një kontingjent që jo vetëm e përfaqësoj si gjini, por kam investuar në vite për rritjen e statusit të grave dhe vajzave në Shqipëri. Zero taksa për 3 vitet e para, sipërmarrjet e reja nga gratë dhe vajzat. Të ketë zyra me asistencë falas për gratë dhe vajzat. Po ashtu, në platforme ka vend edhe për rininë, që është brezi që duhet të marrë frenat për të drejtuar të ardhmen. Do mundësojmë start up, bizneset, inovacionin. Ndihmë do të ketë edhe për çiftet e reja që të përballojnë blerjen e banesave. Do përgjysmojmë taksën që merr bashkia për banesat, që ul çmimin e banesave”.
Kartën e të qenurit autoktone kërkon që ta përdorë në këto zgjedhje, pasi e thotë me krenari që është nga Tirana dhe për këtë kërkon besimin e qytetarëve. “Jam lindur dhe jam rritur në Tiranë dhe më e rëndësishmja e dua qytetin tim dhe nuk kam zgjedhur që ta braktisë ata për asnjë rrethanë”. Me moton “Të votojmë për qytetarët dhe jo për kryetarët”, ajo pret nga këto zgjedhje që qytetarët të zgjedhin jashtë partive tradicionale.
“Pres në radhë të parë që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin një alternativë ndryshe dhe të çlirohen nga siglat e partive”. Garën për Tiranën, Përnaska e shikon si nisje të një projekti që duhet të vijojë edhe më tej. Ajo thotë se këtë mendim e ka pasur qenë fillim kur vendosi të futej në garë, por tashmë që shikon se ka shumë qytetarë që e mbështesin i është shtuar dëshira për të ndryshuar politikën. Marrë nga /A2cnn Albania/