Lajm i keq për ju që doni të blini një shtëpi në Tiranë
Çmimet e banesave në Tiranë gjatë muajve të parë të 2018-ës, kanë shënuar rritje. Banka e Shqipërisë vetëm pak ditë më parë deklaroi një ulje të çmimit në terma real me 3.1% për banesat në Tiranë gjë e cila nuk është konfirmuar nga agjentët imobiliarë.
Këta të fundit shprehen për televizionin Scan se çmimet kanë lëvizur krahasuar me një vit më parë kryesisht në zonat e preferuara, duke kapur vlerën nga 120 euro në 160 euro për metër katror.
Por pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve kërkesa për të blerë apartamente vazhdon të mbetet e lartë, kryesisht në zonën e ish Bllokut, te 21 Dhjetori dhe në rrugën Don Bosko.
Rritje ka pasur edhe në qeratë të cilat në zonat e preferuara kapin vlerën nga 300 deri në 700 euro. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se optimizmi rreth rritjes së çmimeve në tregun e pronave në kryeqytet ende nuk mbështetet plotësisht në shifra.
Në fakt, rritja e çmimeve është më e prekshme në ndërtimet e reja, të nisura në vitet e fundit, ku ka ndikuar pjesërisht edhe dyfishimi i taksës për ndikimin në infrastrukturë, si edhe përqindjet shumë të larta që kërkojnë pronarët e tokës.
KOHA JONË SONDAZH

