Lajmet vijnë nga SPAK!

Nga Lindita Kokoli-

Politika e ditës nuk prodhon më lajme. Ka vetëm sherrrnajë, tymuese dhe votime si në errësirë, ku nuk e merr vesh njeri se çfarë u votua.

Janë të njëjtët politikanë tash 33 vite, janë të njëjtët oligarkë që bashkëdrejtojnë si në kohën e Berishës dhe tani të Ramës.

E njëjta mënyrë për të vjedhur nga paratë e buxhetit të shtetit.

Por ka dy vite e pak që lajmi vjen nga SPAK-u. Aty bëhen hetime, arrestime dhe punohet 24 orë. Prokurorët e SPAK-ut janë siç pohoi dje në Shkodër, David Backman, këshilltari ligjor i  Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Ai tha prerë se “SPAK duhet ruajtur, pasi këta prokurorë janë si “xhevahir” në Shqipëri’.

Ndërkohë dje Altin Dumani i cili ishte në Shkodër në një takim me studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, i organizuar në kuadër të projektit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit mbi luftën kundër korrupsionit, paralajmëroi furtunë në politikën e lartë shqiptare.

Ai siguroi se SPAK ka kapacitetet për t’u përballur me grupimet e strukturuara kriminale.

“Kemi dhe prova. Ne po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë. Është e lodhshme e vështirë, por ne po e bëjmë pavarësisht emrit apo pushtetit që kanë pasur individët. Në SPAK kemi ndryshuar filozofinë e kërkimit të provës me metoda speciale”, u shpreh ai. Me tej Dumani shtoi: “Për SPAK nuk ka rëndësi emri, por provat. Ne si strukturë jemi të vëmendshëm ndaj publikimeve në media. Kemi përdorur të ardhurat nga pasuritë e konfiskuara dhe kemi investuar në teknologji. Për të qenë të sukseshëm në luftën kundër korrupsionit duket legjislacion i mirë dhe struktura të specializuara dhe këto struktura duhet të kenë pavarësi. Ne kemi pavarësi totale e garantuar nga kushtetuta. Nuk kemi marrëdhënie varësie me pushtetet e tjera. Por gjithçka varet nga integriteti i secilit prokuror dhe gjykatës, mund të jesh i pavarur por zgjedh të flirtosh me pushtetin”

Dumani u pyet edhe nëse do të thirret Rama për të dëshmuar lidhur me çështjen McGonigal.

“Për SPAK nuk ka rëndësi emri, por provat. Ne si strukturë jemi të vëmendshëm ndaj publikimeve në media. Presionet politike nuk na bëjnë përshtypje. E kemi zgjedhur ta bëjmë këtë punë. Mua nuk më shqetëson fare mua si person. E kemi ditur se do ndeshemi me keto situata dhe mua nuk më bën pershtypje por as prokurorëve dhe problemi është nese retorika politike kthehet ne diçka konkrete nëse përmes ligjeve bëjnë diçka për të na kontrolluar”- paralajmëroi Altin Dumani.

Pas deklaratave të kreut të SPAK-ut nga Shkodra në PS, por dhe në partitë e opozitës, kanë filluar të dridhura frike. Kur u prek i paprekshmi Sali Berisha, për të tjerët duket se nuk ka më asnjë drojtje nga prokurorët për fletë arreste.

Mjafton një firmë e një prokurori të SPAK-ut, një furgon policie dhe një qeli.

Të tjerat vijnë pas këtyre!

Njerëzit janë me sy e veshë nga SPAK-u. Andej vjen lajmi!

SHKARKO APP