Lamallari: Kemi shembur 15 godina, aksioni kundër ndërtimeve pa leje vijon
Sot në Ksamil dhe në Velipojë nisi aksioni i prishjes së ndërtimeve pa leje përgjatë vijës bregdetare. Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari thotë se në ditën e parë të nisjes së aksionit kundër ndërtimeve pa leje në bregdet janë shkatërruar 15 godina. Për ”Vizion Plus”, ai nënvizoi se ky aksion do të vijojë, deri në lirimin e hapësirës publike.
”Janë 15 godina që rezultojnë pa leje nga dokumentacioni i shqyrtuar, që janë shembur sot, 6 në Velipojë dhe 9 në Ksamil. Ky është një proces që vijon, do të evidentohen edhe ndërtesa të tjera që janë pa leje. Do të vijojë operacioni për shkatërrimin e atyre dhe lirimin e hapësirës publike. Do të ishte absurde që disa njerëz që respektojnë shtetin ligjor marrin të gjithë mundin të aplikojnë për leje, ndërsa të tjerë në kulmin e sezonit turistik përfitojnë në mënyrë të paligjshme. Brenda muajit qershor do të përmbyllet faza e parë. Godinat me shkeljet më flagrante në vijën bregdetare do të shkatërrohen”.
Sa u takon kritikave për angazhimin e Policisë së Shtetit në këtë operacion, Lamallari tha se çështjet e ligjit nuk mund të ndahen në shumë të rëndësishme dhe në më pak të rëndësishme. Sipas tij, kur bëhet fjalë për interesin publik, çdo shkelje ligjore meriton vëmendjen e duhur.