Lamtumira e botuesit të “Onufri”-t, Bujar Hudhri për Ismail Kadare
Prej gjithë asaj kuje, ngushëllimi dhe lamtumire, që ju dedikua shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, në ndarjen e tij nga jeta, gjithë sa u mëtua e gjithkush që nuk mungoi, në rrjetet sociale, në portale dhe televizione, në radio e në kanalet e YouTube, do të doja të veçoja lamtumirën e botuesit të tij, Bujar Hudhri, i cili nuk ka qenë thjeshtë botues i Kadaresë, por shumë më shumë. Ishte çdoditshmëria e shkrimtarit. Ishte kudoja; për t’i ofruar prani, vëmendje, përkushtim, përkujdes dhe dashuri, për ta dëgjuar dhe për t’iu bindur. Sepse Bujar Hudhri e trajtoi Ismail Kadarenë, dinjitetshëm dhe ngadhënjyes, jo si një botues shkrimtarin, por si një apostull besimit të vet.
Ndarja nga jeta e “Kolosit të letrave shqipe”, “Gjigandi i letërsisë shqipe”, “Shkrimtari universal i traditës së rrëfimit të historisë”, “Një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore”, “Gjeniut të madh të letrave”, ishte i tillë për personalitete të artit dhe politikës, diplomacisë dhe arenës ndërkombëtare, kësisoj e profilizuan mediat shqiptare dhe e huaj.
Por për “Onufrin” dhe Bujar Hudhrin, ikja e Kadare ishte, e gjitha sa u tha për Të në këtë përshpirtje, edhe pak më shumë, aq sa nuk thuhet por ndihet thellë. Ata u ndanë nga një pjesëtar i shtrenjtë i familjes së tyre të madhe, u ndanë me një lamtumirë që pikëllon dhe dhëmb, me një ikje që do të lërë një vend bosh në zemrën, shpirtin dhe përditshmërinë e tyre, ikje që do të mbetet testament dhe sinonim i “Onufri”-t. “Juvenilja” ku shkrimtari i shoqëruar gjithmonë nga Bujar Hudhri, pinte kafenë dhe takohej me miq dhe admirues të shkrimtarit, ka që dje një tavolinë të zbrazët, ka ata që do të shohin nga rruga dhe do të ikin, pa guxuar të kthehen te kjo zbrazëti, te kjo ndarje, sepse Kadare nuk është më për t’i pritur, biseduar dhe bërë fotografi me ta.
Ismail Kadare iku njësoj për të gjithë, që e lexuan dhe e adhuruan, por iku ndryshe për Bujarin, i cili bujarisht e mëkoi këtë penë të madhe të shqipshkrimit dhe rrëfimtarisë, këndimit të shpirtit dhe qëmtimit symprehtë të eseistit dhe publicistit. Iku Kadare për të mbetur në mendje, zemër, shpirt, në fjalë e në letër. Librat e mbetur dhe ato që do të ribotohen, janë në pritje për të nënshkruar pavdekësinë e shkrimtarit tonë, që shkroi kaq bukur shqip dhe përjetësoi kaq ëmbël shpirtërisht.
Albert Vataj
Në postimin e tij Bujar Hudhri shkruan:
Shumë vite më parë, kur lexova paragrafin e fundit të dorëshkrimit të librit me kujtime të Helenës “Kohë e pamjaftueshme”, ku shkruhej se cili do të përcillte tjetrin nga kjo botë, Kadareja ia kishte mbushur mendjen se duhej të ikte i pari. Duhej të mbetesha, shkruante Helena, njëfarë kohe pas tij, ashtu sikundër pas një darke të gëzueshme.
Nuk mund ta harroj tronditjen e asaj dite. Ishte edhe atëherë një ditë e nxehtë korriku si sot, e megjithatë ndjeva të më përfshinte trishtimi. Hera e parë që lexoja kaq qartë rreshta për vdekjen e Kadaresë sa gati po e besoja vërtet. Formova numrin e telefonit të Helenës. Me një ngut që duket se atë e la paksa të habitur iu luta të ma kalonte pak zotin Kadare t’i flisja. Hë, Bujar, ç’kemi, dëgjova zërin e tij. Ja, përfundova librin e Helenës dhe doja të të dëgjoja zërin. Dhe shtova: sa bukur, ta lexoj këtë paragraf dhe ndërkohë ne mund të flasim bashkë. E përfytyroj tani, kur do të ketë buzëqeshur, me gishtin te tëmthi kur të thoshte për ndokënd, ky është i lojtur. Nuk i duronte sentimentalizmat.
Por mëngjesin e parë të këtij korriku, për fat të keq, ndërsa nxitonim drejt spitalit me autoambulancë, e ndjeva vërtet se diçka e pakthyeshme kishte ndodhur qysh në apartamentin e tij, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Minutat torturuese te dera e urgjencës, ecejaket e personelit në dhomë, rreth krevatit, pastaj heshtja e mjekëve. Gjithçka mbaroi. Një punonjëse me të bardha që afrohet dhe kërkon ta ndihmoj për të plotësuar skedën e vdekjes: emri, mbiemri, atësia, mëmësia, datëlindja, adresa…
Kam pasur një përfytyrim, qysh në fëmijërinë time, që shkrimtarët nuk janë banorë të kësaj toke. Gati tridhjetë vite me Kadarenë, kjo përshtypje, madje, është përforcuar. Ndërsa e prisja në Rinas kur zbriste nga avioni dhe pas një muaji e përcillja, edhe me sy, teksa avioni shndërrohej si një pikë e zezë në qiell. E përsëritur kaq herë, në dhjetëra vite, e përfytyroja vërtet si një zog të qiejve, siç thoshte për Lasgushin. Edhe tani kjo pamje nuk më largohet nga përfytyrimi dhe e kam të fiksuar përjetësisht në mendje.
Tani më shumë se kurrë, duke zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore. Ashtu siç shprehej vetë, për sivëllain e tij Martin Camaj: “Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos”.
Lamtumirë, mjeshtër!