Larje hesapesh, vritet me armë zjarri 36-vjeçari shqiptar në Itali
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali. Një 36-vjeçar shqiptar ka mbetur i vrarë mbrëmjen e të enjtejes në Pisa të Italisë. Sipas medias italiane La Repubblica, ngjarja ndodhi rreth orës 19:30, në Sasso Pisano, komuna e Castelnuovo Vai di Cecina.
Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur disa gëzhoja pistolete. Sipas një rikonstruksioni fillestar të asaj çka ka ndodhur, autorët e kësaj ngjarjeje dyshohet të jenë dy. Pasi qëlluan 36-vjeçarin ata u arratisën me një automjet me ngjyrë të errët dhe autoritetet aktualisht janë vënë në ndjekje të tyre.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin dinamikën dhe motivin e ngjarjes ndërsa nuk përjashtojnë mundësinë e larjes së hesapeve apo hakmarrjes.
La Repubblica shkruan se viktima, emri i të cilit nuk është bërë ende publik, 8 vjet më parë ka qenë autor i një vrasjeje në Shqipëri, krim për të cilin ka kryer disa vite burg në vendin tonë. Më pas është transferuar në Toscana. Megjithatë media italiane thekson se të gjitha këto janë të dhëna paraprake dhe pritet ende të konfirmohen.
Raportohet gjithashtu se në momentin që u qëllua në drejtim të 36-vjeçarit, në afërsi ndodhej edhe një i moshuar së bashku me një fëmijë, por që fatmirësisht nuk pësuan dëmtime.