Lefter Koka lë mandatin, juristes i vjen posti i deputetes si “dhuratë” para datëlindjes
Sot Lefter Koka i PS-së, bëri me dije se nuk do të jetë deputet, edhe pse e fitoi mandatin në Durrës. Juristja Ana Dhamo është gruaja që do të futet në Kuvendin e Shqipërisë. Dhamo lindi në vitin 1985 dhe është me profesion juriste. Duke parë listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në Durrës, rezulton se emri i Dhamos vjen pas atij të kryeministrit Edi Rama, dhe rrjedhimisht futet në Parlament.
Një rastësi është se ky lajm i mirë për Dhamon vjen dhe një ditë para datëlindjes së saj, pasi nesër juristja mbush 36-vjeçe, duke marrë kështu një dhuratë të parakohshme.
Ajo ka përfunduar Shkollën e Specializimit për Profesionet Ligjore pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Urbinos, Itali. Në tetor të vitit 2010 përfundoi studimet e ciklit 5-vjeçar në Fakultetin e Drejtesisë pranë Universitetit të Urbinos “Carlo Bò”, po në Itali. Dhamo është gjithashtu pjesë e stafit pedagogjik të Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, Departamenti i Drejtesisë, si dhe anëtare e Dhomës së Avokatisë, Durrës, që nga viti 2014.
KOHA JONË SONDAZH

