Legalizimi i prostitucionit/ Lako: Turpi më i madh botëror të thuash ‘shërbimi i femrës’, Jaka: Ishte maskiliste, u korrigjova
Debati publik për legalizimin e prostitucionit dhe kanabisit medicinal është zhvendosur sonte në studion e emisionit “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në News24. Në panel janë ‘përplasur’ Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka, shkrimtaret Natasha Lako, Flutura Açka (lidhje nga Holanda), Aktivistja e Shoqërisë Civile, Dalina Fico dhe opinionisti Dritan Hila.
Debati merr shkas nga deklaratat e bëra nga Jaka pak ditë më parë i cili kërkoi legalizimin e ‘shërbimit të femrës’ dhe kanabisit për përdorim farmaceutik.
Po sot Jaka disi është tërhequr nga qëndrimi i tij dhe tha se ishte një opinion personal nisur nga situata në vend dhe jo i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Nga ana tjetër shkrimtarja Lako e ka quajtur turpin më të madh botëror përdorimin e shprehjes ‘shërbimi i femrës’ nga Jaka. Ky i fundit tha se ishte maskiliste dhe se është korrigjuar menjëherë.
Si ndiheni, keni marrë disa fyerje sot?
Nikolin Jaka: Do doja ta filloja me një interpretim që të kuptohet koncentrati i deklaratës sime. Nuk është një kauzë e imja apo Dhomës së Tregtisë. Është përgjigjja e pyetjes së një gazetari.
Ishte përgjigje pas pyetjes si e shikoni kanabizimin e vendit. Më vjen keq që nuk janë thelluar në opinionin tim. Politika nuk e ka analizuar por ka qenë refuzuese.
Ishte pyetje që kërkon përgjigje specifike. Rasti i prononcimit tim nuk është kauzë është opinion. Unë jam mëse dakord që të filloje një debat për të trajtuar këto dy tema. Në Gjermani është dashur 5 vite që të legalizohej prostitucioni.
Flutura Açka: Nuk kam asnjë zemërim me zotin Jaka. Është e drejtë e tij. Unë si qytetare shqiptare nuk do ta shikoja si një debat të momentit. Nuk duhet bërë sot. Është një debat bosh dhe i pavend. Kemi probleme të tjera shumë më të mëdha për t’u zgjidhur. Kur të krijojmë terrenin e duhur mund ta diskutojmë këtë.
Unë jetoj një vend ku është e lejuar, por pikërisht Holanda sot përballet me një problem pikërisht se pas këtij legalizimi fshihet një trafik i madh pas të cilit janë shqiptarët.
Dalina Fico: Unë jam këtu në cilësinë time personale. Në fakt debati për legalizimin e prostitucionit është bërë në Shqipëri në 2011-2012-2013. Neni 113 i kodit të procedurës penale ishte skandaloz, dënonte punonjëset e seksit dhe jo blerësi. Në 2012 me presionin e shoqërisë civile u bë një hap, jo krejt hapi që donim por një hap që tani dënohet edhe ai që e blen seksin, që jep para për shërbimin seksual.
Në një vend si Shqipëria ku çështja e prostitucionit ka qenë një plagë shumë e madhe dhe vijon të jetë problematike, ky është një debat që duhet bërë sepse ne jemi në një regjim ekstremisht të dëmshëm dhe të dhunshëm në raport me viktimat e trafikimit të prostitucionit. Ne i dënojmë sot punonjësit e seksit. Një vajzë që është detyruar të prostituojë nuk shkon dot tek policia të denoncojë atë që e shfrytëzon sepse mund të dënohet vetë. Flitet për kriminalizimin e prostitucionit.
Në Gjermani nuk dënohet as ai që e blen dhe as ai që e shet. Në Suedi dënohet ai që e blen nuk dënohet ai që e shet. O do bëjmë bisedë profesionale, ose do vazhdojmë të flasim bardh e zi që njerëzit të nxjerrin frustrimet e veta morale.
Natasha Lako: Kur e kam bërë deklaratën time, kam qenë e befasuar. Unë jam shkrimtare, shkrimtarët janë njerëzit më liberalë të botës. Por paradoksi ndodh këtu, në vend ta ngrejë një shkrimtar, këtu vjen nga Dhoma e Tregtisë.
Ky është një problem që ngjall diskutime. Një ditë do vijë dita që prostitucioni do legalizohet ndoshta.
Ju keni thënë “shërbimi i femrës” nëse e keni thënë këtë është turpi më i madh botëror. Nuk ka shërbim femre. Njerëzimi ka një ecuri shumë të madhe në këtë rrugë. Në ‘96 për herë të parë në botë edhe gjer në luftën e Bosnjës, përdhunimet nuk quheshin gjenocid. Unë nuk jam skandalizuar për këtë, legalizimin, por të thotë një njeri “të njihet shërbimi i femrës”. Këtu fillon koncepti i gabuar.
Nikolin Jaka: Maskilizëm është, por është korrigjuar në sekondë. Unë vlerësoj opinionin tuaj. Ju nuk keni asnjë informacion për platformën e dhomës për gjithë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Nikolin Jaka ka shpjeguar edhe arsyet se pse është pro legalizimit të kanabisit.
“Gjermania ka të legalizuar edhe prostitucionin, edhe kanabisin farmaceutik, Holanda e Greqia kanë të legalizuar kanabisin farmaceutik, ndërsa vendet e rajonit kanë të legalizuar edhe vende te kanabisit. Kjo klasë politike duhet të ndërgjegjësohen për të zhvilluar debatin e gjerave reale. Të jenë realë me fenomenet që ndodhin në vend, të marrin përsipër përgjegjësinë. Pra përderisa kanabisi kultivohet, atëherë të legalizohet dhe të kontrollohet nga shteti”, tha Jaka.

