Lejet online të ndërtimit jepet vetëm nga 14 bashki
Duke nisur nga data 1 shtator ka hyrë në fuqi ligji për dhënien e lejeve të ndërtimit online.
Prej disa ditësh, qytetarët apo investitorët mund të bëjnë kërkesat e tyre vetëm në rrugë elektronike nëpërmjet portalit “e-Albania”, ku investitorët apo personat privatë mund të kryejnë të gjithë hapat e nevojshëm për marrjen e lejes.
Por, këto leje nuk mund të jepen në të gjitha bashkitë e vetëm, por vetëm në 14 prej tyre, të cilat kanë miratuar planet urbanistike.
Bëhet fjalë për bashkitë Himarë, Lushnjë, Berat, Kamzë, Tiranë, Fier, Vorë, Mamurras, Durrës, Shkodër, Rrogozhinë, Fushe-Krujë, Bulqizë, Korçë, të cilat mund të vijojnë normalisht me shqyrtimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit, në përputhje me planet vendore përkatëse, për territoret administrative bashkiake përpara reformës territoriale.
Në të gjitha zonat e tjera të vendit, deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore në proces hartimi, bashkitë mund të vijojnë me dhënien e lejeve të ndërtimit për të gjitha objektet e parashikuara në vendimin nr. 1, datë 30.07.2015 të Këshillit Kombëtar të Territorit (si p.sh. objekte me funksion prodhues, industrial, bujqësor, turistik, banesa familjare etj.), duke respektuar kufijtë e zonave të urbanizuara, të përcaktuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Jashtë zonave të urbanizuara lejohen ndërtime me funksion bujqësor ose blegtoral si dhe ndërtime në toka të kategorisë truall.
Deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore, për objektet mbi 6 kate, leja e ndërtimit do të jepet nga bashkitë përgjegjëse, pas një kontrolli paraprak pa vërejtje të Këshillit Kombëtar të Territorit, lidhur me përputhshmërinë me instrumentet kombëtare dhe/ose vendore të planifikimit në proces.
Në zonat me rëndësi kombëtare të trashëgimisë kulturore dhe historike si dhe përgjatë brezit bregdetar, deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore në proces hartimi, ndërtimet e reja do të jenë objekt shqyrtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
KOHA JONË SONDAZH

