Lejuan ndërtime të paligjshme, procedim penal për 3 kryeinspektorë dhe ish-inspektorë të IVMT-së

Kontrollet për ndërtimet pa leje në të gjithë vendin kanë vendosur përpara përgjegjësisë jo vetëm pronarët e këtyre objekteve por edhe zyrtarë shtetëror.

Dy ish-punonjës si dhe kryeinspektori i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Klos, janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre.

Sipas njoftimit nga ana e policisë, 32-vjeçari me iniciale M.V. kryeinspektor, 39-vjeçari me iniciale F.S. dhe 28-vjeçari me iniciale K.D. kanë lejuar kryerjen e ndërtimeve të paligjshme.

Në prokurorinë e rrethit gjyqësor Dibër ka filluar procedimi penal për këta 3 persona për shpërdorim detyre.

Ndërkohë prej më shumë se një jave tashmë, ka filluar një aksion nga ana e IKMT-së për prishjen e të gjitha objekteve pa leje përgjatë vijës bregdetare. Nuk kanë munguar as arrestimet ndërsa Ministria e Brendshme bëri me dije se në të paktën 10 raste, kanë qenë vetë qytetarët të cilët i kanë shembur objektet e tyre pas deklaratave të kryeministrit Rama.

Njoftimi i policisë:

Lejuan që të kryenin ndërtime të kundërligjshme, procedohet penalisht Kryeinspektori dhe 2 ish-punonjës të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në DVP Dibër, referuan materialet procedurale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, dhe filloi procedimi penal ndaj shtetasve:

M.V., 32 vjeç, me detyrë Kryeinspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Klos. F.S., 39 vjeç, ish-Kryeinspektor dhe K. D., 28 vjeç, ish-Inspektor, pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Klos.

Procedimi penal ndaj tyre ka nisur pasi dyshohet se kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi duke mos kryer detyrat e tyre funksionale për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme, kanë lejuar që të kryhen ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Klos. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP