Lekë për transportin e mësuesve dhe nxënësve që punojnë e mësojnë jashtë vendbanimit

 

Qeveria miraton vendimin për përdorimin e fondeve publike për transportin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit.
 
Vendimi parashikon përballimin nga fondet publike të shpenzimeve për transportin e:
 
a) punonjësve arsimorë (drejtor, nëndrejtor, mësues) të institucioneve arsimore publike (shkolla publike të arsimit bazë, kopshte publike) të cilët punojnë jashtë qendrave urbane, qytetit/fshatit, në largësinë mbi 5 km nga kufiri i njësisë përbërëse administrative të vendbanimit të tyre të përhershëm, dhe kthehen brenda ditës;
 
b) nxënësve që ndjekin institucionet arsimore publike të arsimit bazë ose kopshtet publike, që udhëtojnë, nga vendbanimi përhershëm në një vendbanim tjetër, mbi 2 km larg institucioneve arsimore publike më të afërta (shkollë/kopsht);
 
Në asnjë rast nuk përfitojnë shpenzime transporti nxënësit/fëmijët që udhëtojnë mbi 2 km, nëse në vendbanimin e tyre funksionojnë institucionet arsimore publike (shkollë/kopsht).
 
c) nxënësve që jetojnë në qendra rezidenciale të krijuara me vendim të Këshillit të Ministrave për grupe të nxënësve/fëmijëve/familjeve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë dhe që udhëtojnë mbi 2 km larg për të ndjekur mësimin në institucionet arsimore publike më të afërta (shkollat e arsimit bazë ose kopshtet publike);
 
 ç) nxënësve të arsimit parauniversitar me aftësi të kufizuara që gëzojnë statusin ligjor të invalidit, që nuk shikojnë, që nuk dëgjojnë, invalidit paraplegjik dhe invalidit tetraplegjik.
 
Njësitë arsimore vendore, mbështetur në numrin e mësuesve dhe nxënësve që planifikohen të përfitojnë nga shërbimi i transportit, në bashkëpunim me këshillat e qarqeve e njësitë bazë të qeverisjes vendore miratojnë hartën e linjave, sipas largësive të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi.
 
Sipas këtij vendimi, njësitë arsimore vendore, mbështetur në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, prokurojnë fondet publike për shërbimin e transportit nxënësve dhe punonjësve arsimorë, sipas linjave rrethqytetase të shërbimit të transportit publik, të licencuara në bazë qarku nga njësitë e qeverisjes vendore ose qendrore.
 
Në rastet kur njësitë arsimore vendore nuk realizojnë me sukses procedurat e prokurimit  publik të shërbimit të transportit të punonjësve arsimorë dhe nxënësve, këto njësi realizojnë mbulimin e shpenzimeve për shërbimin e transportit të mësuesve dhe nxënësve përfitues drejtpërdrejt, nëpërmjet llogarive bankare, në bankat e nivelit të dytë ose pranë zyrave të Postës Shqiptare, sh.a.
 
Masa e shpenzimeve përllogaritet në bazë të numrit të nxënsve dhe mësuesve, numrit të ditëve mësimore, çmimit mesatar të biletës për linjat ndërqytetase apo rrethqytetase të shërbimit të transportit, të miratuara me vendimin nr.146, datë 26.2.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e tarifave të transportit të udhëtarëve”, të ndryshuar, dhe të indeksimit të çmimeve të shërbimit të transportit, të botuara çdo vit nga INSTAT-i, si dhe në bazë të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi.
 
Punonjësit arsimorë që përfitojnë transport të siguruar nga njësitë arsimore vendore, të parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, bazuar në vendimin nr.194, datë 22.4.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagës së punonjësve arsimorë në arsimin parauniversitar”, të ndryshuar:
 
a) nuk përfitojnë shpërblim mujor për largësi më pak se 10 km nga vendbanimi i tyre;
 
b) përfitojnë shpërblim 1 000 (një mijë) lekë në muaj, kur kjo largësi është nga 10 km deri në më pak se 20 km;
 
c) përfitojnë shpërblim 1 800 (një mijë e tetëqind) lekë në muaj, kur kjo largësi është mbi 20 km.

SHKARKO APP