Lekët në kazino, qeveria hoqi licencat, por u rrit numri i makinetave

Edhe pse lojërat e fatit u mbyllën në fund të vitit 2018, një raport botëror për numërimin e makinetave të lojërave të fatit tregon se në Shqipëri numri i tyre u rrit me 22 përqind. Përkundër efektit që duhet të jepte vendimi i qeverisë “Rama”, bixhozi dhe lojërat sportive duket se vijojnë të luhen edhe më shumë.

Shqipëria gjatë vitit 2019 numëron më shumë makineta të lojërave të fatit se në vitin 2017 kur ato ishin të lejuara.

Vendimi i qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit në fund të vitit 2018 çuditërisht nuk është reflektuar në numrin e makinetave të cilat raportohen me 22% rritje.

Sipas të dhënave të publikuara në raportin “Numërimi Botëror i Makinetave të Lojërave të Fatit 2019”, një makinetë lojërash fati është e disponueshme  për 10 mijë e 493 persona.

Megjithatë në dokumenta sanksionohet se makinetat që numërohen në këtë anketë janë ato që janë të instaluara legalisht dhe numërimi është bazuar në numrin e atyre që mund të verifikohen, gjë që le të kuptohet se ilegalisht numri mund të jetë edhe më i lartë.

Së fundmi, në kuadër të operacionit “Fati i lojërave” policia ka sekuestruar 32 makineta të lojërave të fatit në Lezhë, pesë në Velipojë dhe katër në Kukës.

Vetëm pak kohë më parë qeveria vendosi sërish rikthimin e lojërave të fatit duke përcaktuar zonat ku mund të ushtrohej ky aktivitet, ndërkohë që palët e interesuara kishin afat deri në 22 tetor për të paraqitur dokumentacionin e nevojshëm.

Aktualisht në vendin tonë mund të ushtrojnë aktivitetin sipas ligjit lojërat e fatit si Lotaria Kombëtare dhe kazinotë në hotele me 5 yje që janë të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. /Ora News

SHKARKO APP