Leo ka nevojë për ne! ALBtelecom inicion fushatën “Leo do të ecë”

Për shkak të problemeve në kocka, Leart Hasanllari, djali 7-vjeçar nga Tirana nuk ka arritur të ecë asnjëherë në jetën e tij. Që prej ditës kur ka lindur ai ka përdorur allçi dhe i është nënshtruar shtatë ndërhyrjeve kirurgjikale me shpresën se shëndeti i tij do të përmirësohej. Sipas mjekëve, Leo duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale, e cila sipas prindërve të tij është edhe finalja, por që kushton 40 mijë euro. Kjo shifër – deri tani e pamundur që familja t’i sigurojë e vetme – do të kthente ëndrrën e Leartit të vogël në realitet për t’u ngritur në këmbë. Vogëlushi dhe nëna e tij Angjela Hasanllari, prej disa kohësh kanë bërë apel për ndihmë dhe ALBtelecom & Eagle Mobile kanë qenë të parët sipërmarrje që i janë përgjigjur pozitivisht kësaj thirrjeje me një fushatë të iniciuar ditën e hënë dhe që është quajtur, “Leo do të ecë”.

Mjaft opimiste dhe fisnike, kjo nismë e Albtelecom është një apel për të gjithë ata që mund të kontribuojnë dhe do të bëhen pjesë e saj, duke dërguar mesazhe SMS me tekst “LEO” në numrin 55333, me vlerë 120 lekë me TVSH. Kjo fushatë do të zgjasë nga data 3 deri më 9 Gusht 2015, pasi me datë 10 Gusht është planifikuar ndërhyrja e fundit kirurgjikale në këmbët e 7-vjeçarit. Pas gjithë atyre vuajtjeve që kjo familje ka kaluar, më në fund duket se ka një dritë shprese që djali i vogël të ecë, kjo falë Albtelecom & Eagle Mobile, por padiskutim edhe falë solidaritetit të qytetarëve të shumtë që kanë dhënë kontributin e tyre nëpërmjet mesazheve të dërguara në 55333 (fushata e Eagle), si dhe në numrin e llogarisë Bankare që e ëma e Leos ka vënë në dispozicion (Leart Hasanllari, Tirana Bank. IBAN: AL24206111690000165474916001. Swift code: TIRBALTR. Tel: +355674939310. Western Union: Angjela Hasanllari).

Tashmë të gjithë e njohim Leon.  Nga rrjetet sociale, nga mediat, por sidomos nëpërmjet forcës së nënës së tij, e cila prej 7 vitesh po përjeton dhimbjen e madhe që vetëm një nënë mund ta përjetojë për të birin. Leart Hasanllari është vetëm 7 vjeç dhe që ditën e parë kur bota i uroi mirëseardhjen ka njohur vetëm dhimbje, fizike e shpirtërore. Ai vuan nga “osteogenesis imperfecta”, një anomali që ka të bëjë me deformimin e kockave të këmbëve. Është operuar 7 herë, aq sa vite ka jetuar deri tani e nëse nuk ndërhyhet sa më shpejt në operacionin final, i cili do të kryhet në Greqi, Leo rrezikon të mbetet i paralizuar përgjithmonë. Data e operacionit është vendosur me 10 gusht e ndërsa prindërit e tij akoma nuk kanë plotësuar shumën e kërkuar nga doktorët apeli i nënës së tij, i shpërndarë nëpër rrjetet sociale dhe media kumbon në veshët e çdo qytetari të thjeshtë. Shuma e mbledhur deri më tani ka kaluar 25 mijë euro, por për të plotësuar shifrën e plotë të operacionit, që do të kryhet në Greqi nevojiten plot 40 mijë euro e falë ndihmës së Albetelecom & Eagle Mobile ëndrra e Leos duket se do të bëhet realitet. 

SHKARKO APP