Letër e hapur nga kompozitori Limos Dizdari: Krijesa ime artistike m’u shkatërrua para syve

Nga: Limos Dizdari

Miku im krijues.

Ti e kalove gjithë jetën tënde, duke iu përkushtuar kulturës kombëtare të këtij vendi, si pjesë e një bashkësie, të cilës i përkas edhe vetë. Ashtu si dhe ti, edhe unë u përpoqa që të realizoj një ëndër të madhe, duke ndërtuar një qendër arti dhe, pas kaq kohësh, ndjeva se më në fund ia kisha dale mbanë. Këtë e pashë në sytë e tu, që shprehnin falenderim, e ndjeva në fjalët e tua, që pasqyronin entuziazëm, e lexova në fjalët e tua, që shkrove në shtyp.

Befas kjo krijesë artistike m’u shkatërrua para syve. Pa pritur, kjo ëndër, e shndëruar në një realitet të bukur, me shumë mund dhe sakrifica, u zhbë brutalisht brenda një nate. Dhe unë shtanga, i mbetur pa fjalë, duke u ndjerë i braktisuir .

Miku im mirë.

Provova që të gjej zgjidhje duke iu shkruar përfaqësuesve të pushtetit të këtij vendi, që është vendi im dhe i yti, por askush nuk m’u përgjigj. Zonja ministre e kulturës p. sh. nuk gjeti aq kohë, sa edhe për një takim të shkurtër. U ndesha me një mur heshtjeje, që me shfaqej kudo, ku shkoja. Isha i rethuar nga një memecëri tronditëse. Askush nuk deshi që të më dëgjojë.

Kjo është arsyeja që po të drejtohem. Nuk ka rëndësi, nëse më njeh apo jo, pak domethënie ka, nëse jemi takuar ndonjëherë së bashku apo jo. E rëndësishme është se edhe ti, sikurse unë, je një krijues, se që të dy kemi të njëjtën ëndër për të bërë diçka fisnike për këtë vend.

Prandaj dhe po të drejtohem, miku im, për të bashkëbiseduar. Që të më pyesësh për gjithçka, nëse dëshiron dhe unë të përgjigjem për githçka. Që të më thuash, nëse kam të drejtë apo jo, nëse duhet ta vazhdoj luftën time apo jo. Thjesht dua që të bashkëbisedojmë, të shkëmbejmë mendimet dhe shqetësimet tona të përbashkëta.

Unë e di se fjalët e tua nuk do të ma shërojnë këtë plagë të hapur padrejtësisht, sepse e di që ti, miku im, je i thjeshtë, se nuk je i pushtetshëm. Por po aq mirë e di se fjala jote është fjala e një artisti, se ajo ka një fuqi edhe më të madhe nga ajo e çdo lloj pushtetari, se ajo mund të ndikojë, të ndërgjegjësojë, të nxisë në fushën e kulturës sonë kombëtare.

Miku im.

Kurrë mos harro se heshtja nuk ndihmon. Unë mendoj se ajo, që na ndihmon, është revolta, por jo një revoltë, që e përjashton tjetrin, po që ndihmon për të ndryshuar rrethanat në fushën e artit dhe në jetën e çdo artisit. Duke i përsosur ato, ne do të përsosim njëkohësisht dhe veten.

Unë mendoj se ajo është e lidhur me dashurinë për të gjithë. Ajo nuk ka të bëjë aspak me agresivitetin. Në të kundërt, agresiviteti është i lidhur me dëshirën për të mos krijuar një vepër arti, për të mos pasur një qendër kulturore, për të mos lexuar qoftë dhe një libër. Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet e gjithë kjo dhunë, që ka shpërthyer në kohën tonë. Ajo buron nga mungesa e kësaj klime artistike.

Pikërisht, mungesa e kësaj klime artistike, veçanërisht, më shqetëson mua, miku im. Po ndodh pra, në vend që ne t’i shtojmë institucionet kulturore dhe t’i subvencionojmë, po i mbyllim ato, akoma dhe më tej, po i shkatërrojmë apo i braktisim në duar, që nuk kanë asgjë të përbashkët me artin dhe që nuk e njohin shenjtërinë e tij. Kjo ndodhi edhe me qendrën kulturore, që unë ndërtova, duke sakrifikuar gjithçka në jetë. Sepse bujaria ndaj së ardhmes qëndron në faktin që t’i dhurosh gjithçka së tashmes. Jam i bindur se kështu ke vepruar edhe ti në jetën tënde.

Le të mos të heshtim pra, duke kuptuar se revolta është një lëvizje e vetë jetës, se ajo nuk është një përmbysje shoqërore, siç duan ta shohin disa politikanë pa kulturë. Sepse ajo nuk e lë veten që të mposhtet nga zemërimi, duke ngritur në këmbë një skotë skllevërish, që përfitojnë nga kjo, duke e shitur veten në çdo treg politik të ditës.

Miku im

Le të mos harojmë se pa të tashme, nuk ka të ardhme. Le të mos besojme tek hyjnitë, që i kanë sytë e lidhura. Artisti është vetë një hyjni, por pa qënë Zot i të tjerëve. Ne duhet të zgjedhim luftën tonë dhe kjo është: fjala e guximshme, vetmohimi artistik, vepra e madhe krijuese, që mbart në shpirtin e tij çdo artist, me qëllimin fisnik që ky vend të ecë pandërprerë drejt Europës.

Vetëm kështu jeta jonë si artistë mund të marr sërish kuptim, vetëm kështu ne mund të ndryshojnë, duke ndihmuar edhe njëri – tjetrin. Ne mund dhe duhet të tregojmë se ka një kufi, ku politikanët duhet të ndalen! Vetëm atëherë do të shpërfaqet vrulli ynë krijues, i nxitur prej një pasioni të ri dhe prej një shprese të re.

Pres mendimet e tua, miku im i shtrenjtë.

SHKARKO APP