Letra e mjekëve në Bergamo: Pandemia jashtë kontrollit. Sa më shumë persona të mjekuar, aq më shumë përhapet virusi
Në Bergamo pandemia e COVID-19 është jashtë kontrollit. Kështu deklarojnë mjekët e spitalit “Papa Giovanni XXIII” në një letër të publikuar në “New England Journal of Medicine Catalyst Innovations in Care Delivery”.
Kujtojmë që Bergamo është provinca më e goditur nga virusi në gjithë Lombardinë. Vetëm dje kishte 6728 raste pozitive, me një rritje prej 257 rastesh në ditë, krahasuar me një ditë më parë. Spitalet janë në kolaps.
“Spitali ynë është shumë i kontaminuar dhe jemi tashmë përtej pikës së kolapsit: 300 shtretër nga 900 janë të okupuar nga pacientët Covid-19. Më shumë se 70% e vendeve të kujdesit intensiv janë të rezervuar për pacientët me sëmundje të rëndë Covid-19 që kanë shpresë për mbijetesë”, sqaruan 13 mjekët e Bergamos në letër, sic shkruan “Il Giornale”.
“Ne punojmë në spitalin Papa Giovanni XXIII në Bergamo, një strukturë moderne me 48 njësi të kujdesit intensiv. Edhe pse Bergamo është një qytet relativisht i vogël, ai është epiqendra e epidemisë, më shumë se Milano. Situata është aq e rëndë – nënvizuan ata – që ne jemi të detyruar të operojmë nën standardet tona të kujdesit. Pacientët e moshuar vdesin në vetmi, madje pa kujdesin e duhur paliativ”.
“Ne po mësojmë se spitalet mund të jenë mjetet kryesore të transmetimit të Covid-19 – vazhduan mjekët në letër – pasi ato mbushen më shpejt dhe më shpejt me pacientët e infektuar që infektojnë pacientë jo të infektuar. I njëjti sistem rajonal shëndetësor kontribuon në përhapja e infeksionit. Punëtorët e shëndetësisë janë bartës asimptomatik të sëmundjes ose të sëmurë pa mbikqyrje. Disa vdesin, përfshirë ata më të rinjtë, duke rritur me tej vështirësitë dhe stresin e atyre që janë në vijë të parë. Në orët e ardhshme, 30 mjekë rusë do të arrijnë te Papa Gjoni XXIII për të ndihmuar dhe mbështetur stafin në punë për javë të tëra pa ndaluar. Coronavirus është “Ebola e të pasurve dhe kërkon një përpjekje të koordinuar dhe transnacionale. Nuk është veçanërisht vdekjeprurëse, por është shumë ngjitëse. Sa më shumë shoqëri e mjekuar dhe e centralizuar, aq më shumë përhapet virusi”, vazhduan ata. “Katastrofa që ka përfshirë Lombardinë e pasur mund të ndodhte kudo”.
“Kjo epidemi është një krizë shëndetësore dhe humanitare. Ne kemi nevoja urgjente për agjensi humanitare që veprojnë në nivelin lokal. Për të adresuar pandeminë, nevojiten zgjidhje për të gjithë popullatën, jo vetëm për spitalet”, përfunduan ata.